Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Elvis Shkambin, i cili akuzohet se autor i vrasjes së magjistratit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, xhaxhain e tij, Gjon Shkambi dhe si edhe punonjësin e sigurisë Banush Koxhajn.

“Kam qenë i sëmurë, para se me kaluar palët në skaner, unë kam lajmëruar dhe kancelaren se nuk ndihesha mirë, pasi vuaj nga diabeti. Një orë me pas kancelarja më ka dhënë leje për t’u larguar, por nuk jam zëvendësuar”, dëshmoi punonjësi i sigurisë.

Seanca ndaj tyre u zhvilluan nën masa të rrepta sigurie. Elvis Shkambi akuzohet për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, krim i ndodhur mesditën e 6 tetorit.

Gjithashtu në ngjarjen e rëndë të ndodhur të hënën, 30-vjeçari plagosi me armë zjarri në Gjykatë edhe babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj, palë në proces.

Elvis Shkambi përballet me tre akuza të rënda, Vrasje e funksionarëve publikë, Vrasje në rrethana cilësuese kundër palëve të përfshira në proces, kryer në bashkëpunim dhe mbetur në tentativë, Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake.

Në lidhje me xhaxhain e tij, Gjon Shkambi, organi i akuzës dyshon se kishte dijeni për planin e nipit të tij për të sulmuar palën kundërshtare në çështjen gjyqësore.

Prokuroria ngriti dyshime se Gjon Shkambi ka pasur rol nxitës në tentativën për të vrarë babë e bir, me të cilët është në konflikt për një pronë në Shkodër.

Ndërkohë, punonjësi i sigurisë, Banush Koxhaj, akuzohet për shpërdorim detyre, pasi ai nuk ka reaguar edhe pse detektorët sinjalizuan praninë e metaleve gjatë hyrjes së Elvis dhe Gjon Shkambit në ambientet e gjykatës.

Ai nuk ka kryer kontroll fizik ndaj tyre dhe as nuk ka bërë regjistrimin në librin e protokollit, ashtu siç është detyrim për çdo qytetar që hyn dhe del në institucion.