Gati dy vjet pas vrasjes së Marigona Osmanit, të premten, më 4 gusht, në Gjykatën Themelore të Ferizajt do të shpallet aktgjykimi ndaj dy të dyshuarve kryesorë për vrasjen e saj, Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiut.

Marigona Osmani ishte 18 vjeç kur u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.

Sipas aktakuzës, Dardan Krivaqa dyshohet se më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e së ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale me të.

Një ditë më pas, më 22 gusht 2021, Krivaqa dhe Sejdiu akuzohen se e kanë vrarë Marigona Osmanin, në përpjekje për të fshehur dhunën.

Krivaqa dhe Sejdiu akuzohen për një serë veprash penale përfshirë atë të dhunimit, ndihmës në kryerjen e dhunimit si dhe vrasjes së rëndë në bashkëpunim.

Aktakuza thotë se Sejdiu, me dashje kishte ndihmuar Krivaqën në kryerjen e veprës penale të dhunimit.

Ai akuzohet se edhe pse ishte në dijeni se Krivaqa po kryente aktin e dhunimit, me dashje kishte marrë veprime në lehtësimin e kryerjes së kësaj vepre penale si dhe vazhdimisht kishte vëzhguar nëse ndonjë banor ishte duke lëvizur aty.

Që të dy akuzohen po ashtu se kanë tentuar të fshehin gjurmët e krimit, duke tentuar të fshehin pamjet e kamerave të sigurisë.

Në seancën e fundit gjyqësore për këtë rast, prokurori Valdet Avdiu kërkoi që Krivaqa dhe Sejdiu të dënohen sipas ligjit.

Gjatë kësaj seance të mbajtur më 1 gusht, prokurori Avdiu tha se “nga të gjitha provat, dëshmitarët e dëgjuar dhe video-incizimet, është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale si në aktakuzë”.

Ndërsa avokati i familjes së Marigona Osmanit, Gazmend Rexhepi, kërkoi dënim maksimal për të akuzuarit.

Rexhepi tha se të akuzuarve duhet t’u jepet dënim maksimal në mënyrë që këto raste të mos përsëritën kurrë më në Kosovë.

Avokati mbrojtës i Dardan Krivaqës, Admir Salihu, tha se gjykata duhet t’i marrë parasysh të gjitha elementet dhe rrethanat, pasi siç tha ai, “është provuar se vepra penale është kryer nën ndikimin e lëndëve narkotike”.

Vetë Krivaqa shprehu keqardhje për atë që ka ndodhur. Paraprakisht Krivaqës, me kërkesë të avokatit mbrojtës, iu bë një ekzaminim psikiatrik. Raporti i këtij ekzaminimi konstatoi se Krivaqa nuk ka ndonjë çrregullim apo sëmundje mendore të karakterit psikotik.

Kërkohet dënim maksimal

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka paralajmëruar një aktivitet para Gjykatës Themelore në Ferizaj, ku pritet të shpallet aktgjykimi për këtë rast.

“Për t’u siguruar që kërkesa jonë për drejtësi të jehojë edhe të premten para Gjykatës Themelore në Ferizaj, ne mblidhemi nga ora 10:30 para dyerve të gjykatës për të kërkuar drejtësi për Marigonën dhe ndëshkim maksimal për vrasësit”, u tha në reagimin e kësaj organizate.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist tha po ashtu se nuk mund të harrohet “dhuna mizore”, që sipas organizatës, Krivaqa më ndihmën e Sejdiut, i shkaktuan Marigona Osmani derisa ajo vdiq.

“Ne nuk mund të harrojmë që Marigona do të mund të ishte gjallë sot, nëse shteti do ta mbronte me kohë atë”, u tha në reagim.

Përkundër provave të paraqitura, avokatët mbrojtës të Krivaqës dhe Sejdiut, kishin kërkuar hedhjen poshtë të aktakuzës. Por, gjyqtari i çështjes, Sahit Krasniqi, më 2 shtator të vitit 2022, refuzoi kërkesën dhe kundërshtimin e provave që u paraqitën nga ekipet mbrojtëse të të akuzuarve.

Sipas të dhënave, nga viti 2010 e deri më 2023, në Kosovë janë vrarë 50 gra. Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna.

Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.

Vrasja e fundit ka ndodhur më 30 nëntor të vitit të kaluar, kur një grua shtatzënë është qëlluar për vdekje në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, në Prishtinë. Vrasjen e kreu bashkëshorti i saj, i cili më pas vrau veten.