Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin për masën e sigurisë “arrest në burg” e të miturit Mario Përlleshaj, pasi dyshohet të jetë autori i vrasjes së bashkëmoshatarit të tij, Martin Cani.

“Mospranimin e rekursit të paraqitur nga personi nën hetim – i mituri në konflikt me ligjin M. P., kundër vendimit nr. 30-2024-9430/2949, datë 17.12.2024, të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm”, njofton gjykata.

Përlleshaj po mbahet në institucionin e të miturve në Kavajë dhe ai kërkonte një masë më të butë sigurie.

Vetëm disa ditë më parë, gjykata e Tiranës kaloi dosjen në ngarkim të tij për gjykim. Sakaq institucioni i refuzoi kërkesën për gjykim të shkurtuar, që në rast se shpallet fajtor i mundëson uljen e masës së dënimit me 1/3 e tij.

Familjarët e Canit kanë kërkuar jo vetëm drejtësi por edhe transparencë nga gjykata.