Prokuroria në Prishtinë deklaroi se kamera në selinë e Iniciativës Qytetare Serbe nuk kanë të regjistruar asgjë, pasi në kohën e vrasjes së Ivanoviçit ato nuk kanë punuar. Mediat serbe, përcjell Telegrafi, thanë se ky fakt u bë i ditur nga bashkëpunëtorja e Ivanoviçit, Ksenija Bozoviç.

Sipas saj, kamerat kanë filluar të punojnë 10 minuta pas vrasjes dhe kanë regjistruar vetëm ambulancën që erdhi pas thirrjes së bërë, pasi ishte qëlluar Ivanoviç.

"Nga përfaqësuesit ndërkombëtarë, KFOR-i dhe prokurori kuptova se kamerat në lokalet tona në nga pjesa ku ishte vrarë Oliveri nuk kanë punuar për 12 ditë, që nga 4 janari dhe janë vënë në funksion më 16 janar, dhjetë minuta pas vrasjes, kur ajo regjistroi një ambulancë", citohet të ketë thënë Bozoviç për Beta, duke përcjellë atë që i ishte thënë në prokurori.

Ndërkohë, po sipas mediave serbe, shefi i Operacioneve të Policisë së Kosovës, Zhelko Bojiç, ka thënë se policia hoqi videot nga kamerat e sigurisë dhe të gjitha materialet e mbledhura në vendin e ngjarjes, dhe se ato janë dërguar për trajtim të mëtejshëm në Prishtinë. Vrasja e Oliver Ivanoviçit ndodhi më 16 janar të vitit 2018, rreth orës 08:15 të mëngjesit, në afërsi të zyrës së tij në Mitrovicë.