Në konferencën për shtyp, drejtori i Policisë Durrës, Skënder Hita, ka deklaruar se autor i vrasjes së 49-vjeçarit Pëllumb Meta është djali i tij 24 vjeçar, Hyseni dhe jo vajza 19-vjeçare Hygerta Meta. Aktualisht dy të rinjtë, Hysen dhe Hygerta Meta janë të akuzuar për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.

I ndaluar është edhe djali i vogël i familjes Amarildo Meta, 22 vjeç, i cili akuzohet se me veprimet e tij ka penguar zbardhjen e krimit dhe ka ndihmuar në fshehjen e trupit.

Bashkëshortja e të ndjerit, Blerina Meta, 49 vjeçe do të hetohet në gjendje të lirë.

Pëllumb Meta është vrarë në orët e drekës së datës 10 shkurt me një pistoletë model 54. Ai është vrarë në një nga dhomat e shtëpisë dhe më pas trupi i tij është zhvendosur në kasollen e lopës, ku dhe është groposur.

Motivi i vrasjes sipas fëmijëve të tij kanë qenë konfliktet e vazhdueshme në familje dhe këmbëngulja e babait që vajza të martohej me një djalë kundër dëshirës së saj.