Gjykata e Elbasanit ka miratuar kërkesën e prokurorisë e për pezullimin e 6 efektive të policisë së këtij qyteti.

Ata akuzohen se kanë dhënë dëshmi të rreme dhe shpërdoruar detyrën në vrasjen e Pjerin Xhuvanit, gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit.

Dy ditë më parë gjykata la në fuqi masat për dy ish-drejtorët e policisë së Elbasanit Albert Nushi dhe Nikollaq Palla për të njëjta akuza.

Në dosjen hetimore thuhet se punonjësit e policisë mund ta kishin shmangur ngjarjen e rëndë nëse do të kishin ndërhyrë.

Të 8 këta policë kanë qenë në vendin e ngjarjes përpara se të vinte viktima dhe simpatizantët e tjerë të partisë socialiste.

Ata  mund ta shoqëronin në komisariat Mehmet Grecën, personin e ndaluar nga Struktura për Mbrojtjen e Votës e Partisë Demokratike, pasi dyshohej se kishte në makinë materiale zgjedhore.

Por, kjo nuk ka ndodhur. Më pas personat janë përfshirë në një konflikt me armë ku ka pasur shkëmbim zjarri.

Arbër Papleka ka qëlluar për vdekje Pjerin Xhuvanin dhe ka plagosur Elton Bodinakun dhëndër i viktimës.