Ka nisur në gjykatën e apelit të Tiranës gjyqi ndaj Arbër Paplekajt.

Gjykata: Me vendimin e ndërmjetëm gjykata vendosi të përsërisë shqyrtimin gjyqësor, lidhur me verifikimin me dy dëshmitarë për të cilët u shtrua diskutimi nëse ishin marrë të pandehur. Gjithashtu gjykata vendosi të kryejë një akt ekspertim për vendngjarjen. Në lidhje me dëshmitarët, tha gjykata, prokuroria e Elbasanit konfirmon se ndaj Donald Zanaj është dhënë vendimi për nenin 306. Për këtë shtetas rezulton se është dënuar me 6 muaj burgim dhe ka marrë formë të prerë pasi është ankimuar.

Nga verifikimi i kryer tha gjyqtarja Marsela Pepi – rezulton se për tre shtetasit e tjerë ndaj Mehmet Greca, Taulant Ymeri, Riza Muja më datë 20 prill 2023 është dorëzuar dosja për gjykim dhe aktualisht është nën gjykim. Ndaj shtetasit Klement Xhaferrit çështja është pushuar.

Gjykata: Për Mehmet Grecën prokuroria e Elbasanit ka konfirmuar se nuk ka hetim për veprën dëshmi të rremë.

Prokurori i çështjes Gent Xholi: Do ishte mirë që gjykata të merrte dhe aktet bashkëlidhur.

Avokati i Arbër Paplekaj: Lidhur me arsyetimin tonë për dëshmitarët mes tyre Donald Zanaj që ka dëshmuar, të merret ne konsideratë nga gjykata që dëshmia e tij për pjesën ku ka folur të mos merret në konsideratë. Nga ana tjetër rezulton se dy persona që kanë qëlluar me armë vazhdojnë të jenë të paidentifikuar.

Gjykata:U njohëm me listën e ekspertëve të profilit kriminalistik dhe vendosi të caktojë ekspertë Artan Rexhepi – ekspert i pavarur kriminalist ; Arjan Hako – specialist i këqyrjes së vendngjarjes në Policinë Shkencore; Shpëtim Jonuka – ekpsert kriminalistike. Rezulton se nga palët në proces të ketë paraqitur pyetje për ekspertët avokati i Arbër Paplekës. Avokati ka përcaktuar si detyra të përcaktohet drejtimi i qitjes me armë zjarri ndaj viktimës Pjerin Xhuvanit, të përcaktohet shpërndarja e gëzhojave, të përcaktohet distanca mes qitësve dhe viktimës Pjerin Xhuvani.

Eksperti Arjan Hako: Ne jemi të specializuar për vendngjarjen, këqyrjen e saj dhe nuk kam kryer ndonjëherë eksperiment hetimor. E dyta e kam të ndaluar kategorikisht të punoj me ekspert privat, këtë ma cakton rregullorja e Shërbimit të Policisë Shkencore.

Gjykata: Ju sot nuk po bëni një ekspertizë për policinë por për gjykatën kështu që jeni të detyruar

Eksperti Hako: Po por rregullorja me detyron të mos punoj me ekspertë privat

Gjykata: Kaq të vështirë e keni të punoni në grup. Këtë shqetësim ndajeni me eprorët tuaj nga pikëpamja administrative, se në fund të ditës gjykata ka urdhëruar për ngritjen e këtij grupi

Prokurori Gent Xholi: Që të saktësojmë eksperti është i këqyrjes balistike, dhe vendngjarjes. Për distancën mënyrën e qitjes e kryejnë ekspertë të tjerë në polici.