Procesi për vrasjen e mjekut Pjerin Xhuvani gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2021 sot hyri në fazën e shqyrtimit gjyqësor.
Në përfundim të seancës gjyqësore avokatja Rezarta Tahiraj deklaroi: Jam shumë e kënaqur që trupi gjykues vendosi të aprovojë kërkesën time për t’u krijuar si palë civile edhe bashkëshortja e viktimës. Në këtë betejë, në të cilën përfaqësoj të drejtat e familjarëve të viktimës është e nevojshme që të verifikohet e vërteta në çdo aspekt të saj sepse vetëm kështu mund të bëhet drejtësi e vërtetë.
Avokatja Tahiraj përfundoi duke pohuar “në këtë proces do të duhet të vlerësohet përgjegjësia e shumë policëve që ishin të pranishëm në vrasje dhe nuk ndaluan që i afërmi i të asistuarve të mi të mos ishte vrarë. Dhe mbi të gjitha duhet të vlerësohet përgjegjësia e atij që atë ditë në Elbasan kishte mbërritur i armatosur me pistoletë dhe vrau mjekun dhe aktivistin politik Pjerin Xhuvani”.
Prokuroria kërkoi thirrjen në proces të 59 dëshmitarëve dhe të të pandehurit. Seanca e ardhshme është caktuar për më 9 janar.