DURRES, 07 mars 2013 – 8 gëzhojat e administruara në vendin në të cilin është ekzekutuar shtetasi Qerim Maloku, më datë 27 korrik 1998, i përkasin tre armëve të ndryshme.

Në këtë konkluzion kanë dalë tre ekspertët Ardi Cakrani, Ardian Turani dhe Ilirian Avrami, pas shqyrtimit të provavë balistike të administruara nga prokuroria e Durrësit.

Ekspertët në prani të trupit gjykues kanë dhënë detaje teknike vetëm mbi llojin e gëzhojave dhe armëve, të cilat janë përdorur për të vrarë Qerim Malokun, ndërsa nuk kanë folur nëse gjurma e gjetur në një nga gëzhojat i përket të pandehurit Ilir Xhakja, i cili akuzohet nga prokuroria si autor i vrasjes së Qerim Malokut.

Pasi ka dëgjuar tre ekspertët trupi gjykues i ka dhënë fjalën avokatit të Ilir Xhakjas, Ilia Ilia, i cili ka kërkuar më shumë kohë për t’u njohur me akt ekspertimin të provave balistike.

Sipas Ilias, akt ekspertimi i lexuar nga ekspertët ka të bëjë vetëm me të dhënat e kartelës ,e cila është administruar nga prokuroria. Ekspertët nuk kanë kryer ekspertizën në armët që dyshohet të jenë përdorur për vrasjen e Qerim Malokut. Për këtë avokati mbrojtës i Ilir Xhakjes kërkoi shtyrjen e seancës.

Kërkesa e avokatit  është pranuar edhe nga prokurori i çështjes. Seanca e radhës do të zhvillohet më 21 mars.

Në seancën e zhvilluar në fund të muajit dhjetor Gjykata e Apelit Durrës vendosi të rikryhet ekspertiza balistike për shkak të kundërshtive të fakteve mes dy ekspertizave tw para të kryera në kohë të ndryshme.

Vrasja e Qerim Malokut ka ndodhur në vitin 1998 në vendin e quajtur Katund Sukth. Më 26 korrik 1998, rreth orës 23:00, në Katund Sukth, është vrarë me armë zjarri shtetasi Qerim Maloku. Para se të vritej, viktima kishte dalë nga banesa e tij për të shkuar te lokali i nipit të tij dhe më pas ishte nisur për tek një bilardo pranë banesës tij. Gjatë rrugës për atje, Maloku është goditur me breshëri automatiku.

Ndërkohë mbi Xhakjan rëndon akuza e vrasjes së Kryekomisarit të Shijakut, Adem Tahiraj, ngjarje kjo e ndodhur në shtator të këtij viti. Gjyqi për këtë çështje është duke u zhvilluar në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë. 

/m.l. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/