DURRES, 20 shkurt 2013 – Shtyhet sërish dhënia e vendimit për Ilir Xhakjen, i cili akuzohet për vrasjen e shtetasit Qerim Maloku, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1998. Gjykata e Apelit në Durrës ka shtyrë për të disatën herë seancën ndaj Ilir Xhakjas, pasi ditën e sotme mungonte avokati i tij mbrojtës, Ilia Ilia, i cili kishte paraqitur pranë trupit gjykues një raport, ku shpjegohej gjendja jo e mirë shëndetësore e tij. 

Në seancën e sotme pritej të dëgjoheshin tre ekspertët Ardi Cakrani, Ardian Turani dhe Ilirian Avrami, që janë caktuar nga gjykata për të kryer për herë të tretë analizën balistike të provave që akuzojnë Xhakjen, si autor të vrasjes së 15 viteve më parë. Seanca e rradhës u vendos të mbahet në datë 7 mars, ora 13.00. 

Në seancën e zhvilluar në fund të muajit dhjetor Gjykata e Apelit Durrës vendosi të rikryhet ekspertiza balistike për shkak të kundërshtive të fakteve mes ekspertizave të kryera në kohë të ndryshme.

Relatori Petraq Dhimitri ka ngarkuar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore ekspertët që do të realizojnë ekspertizën e re mbi bazën e së cilës trupi gjykues do të vendosë për fajësinë ose jo të Xhakjas në vrasjen e shtetasit Qerim Maloku.

Vrasja e Qerim Malokut ka ndodhur në vitin 1998 në vendin e quajtur Katund Sukth. Më 26 korrik 1998, rreth orës 23:00, në Katund Sukth, është vrarë me armë zjarri shtetasi Qerim Maloku. Para se të vritej, viktima kishte dalë nga banesa e tij për të shkuar te lokali i nipit të tij dhe më pas ishte nisur për tek një bilardo pranë banesës tij. Gjatë rrugës për atje, Maloku është goditur me breshëri automatiku.

Ndërkohë mbi Xhakjan rëndon akuza e vrasjes së Kryekomisarit të Shijakut, Adem Tahiraj, ngjarje kjo e ndodhur në shtator të këtij viti. Gjyqi për këtë çështje është duke u zhvilluar në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë. 

/m.l. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/