KORCE- Një ditë pas lirimit të 35-vjeçarit Edison Kodralli, i cili akuzohej për vrasjen e 58-vjeçarit, Et'hem Hëna, në tetor të vitit të shkuar, i biri i viktimës kërkon kërkon drejtësi. Ai shprehet se nuk paragjykon askënd dhe nuk komenton lirimin e Kodrallit, por u bën apel autoriteteve të sigurojnë provat e nevojshme për të gjetur autorin e vërtetë të vrasjes së babait të tij.
“Para 3 muajsh policia më tha se e gjetëm autorin e vrasjes së babait tim. Sot vjen dhe thotë është i pafajshëm. Unë kam patur besim dhe kam besim tek prokuroria dhe policia, nuk mund të paragjykoj asnjeri, por ka pasur kohë 3 muaj të gjejnë prova dhe autorët. Jemi në vitin 2013 dhe unë besoj se kemi një prokurori të drejtë. Unë kërkoj të gjendet vrasësi i babait tim.”- shprehet i biri i Et'hem Hënës.
35- vjeçari Edison Kodralli, u lirua një ditë më parë nga paraburgimi, pasi riekspertimi i mbetjeve të barutit në bluzën e tij, konkludoi se mbetjet e nitriteve dhe nitrateve në bluzën e të akuzuarit nuk kishin lidhje me barutin, por ishim mbetje të saldimit sikurse ishte pretenduar nga 35-vjeçari i dyshuar dhe mbrojtja. Për këtë arsye u rrezua prova më e fortë e akuzës e cila mbante në qeli Edison Kodrallin si autor të ngjarjes.
Prokurori i çështjes kërkoi “detyrim paraqitje” për Kodrallin dhe gjykata pranoi kërkesën duke e lënë të lirë në sallë te arrestuarin. 35- vjeçari u arrestua një javë pas vrasjes si autor i vrasjes së Et’hem Hënës brenda në lokalin e djalit të tij në fshatin Vloçisht të Korçës.
Pas lirimit nga paraburgimit, Kodralli theksoi se i bën apel drejtësisë të zbardhë autorin e vërtetë të ngjarjes. “Jam i pafajshëm, drejtësia të gjejë autorin e vërtetë”, thotë ai, ndërsa nuk fsheh gëzimin që po rikthehet sërish pranë familjes së tij.





