Tiranë, 2 korrik 2014 – Kushërinjve Klodian Gjozi dhe Sajmir (Gazmir) Gjozi, të ndaluar si të dyshuar për vrasjen e biznesmenit Artan Santo, u janë gjetur faktorë plotësues të qitjes me armë zjarri dhe konkretisht mbetje baruti. Kështu bën të ditur Policia e Shtetit, e cila përmes një njoftimi për mediat sqaron se motori i Gjozëve tip Suzuki, i bllokuar në një servis në afërsi të fshatit Bubq, i ngjashëm me atë të autorëve të atentatit ndaj biznesmenit, rezulton i vjedhur në Greqi. 

Gjithashtu policia bën të ditur se vëllezërit Klodian dhe Arjan Gjozi rezultojnë të dënuar në Greqi për krime të rënda dhe konsiderohen të rrezikshëm për vjedhje me armë. 

“Vëllezërit Klodian dhe Arjan Gjozi konsiderohen shumë të rrezikshëm nga ana e policisë Greke (për veprën penale të vjedhjes me armë). Gjithashtu shtetasi Arjan Gjozi para shumë vitesh, përdorte identitetin Dilaver Gjozi. Po ashtu lidhur me motorin 650 CC Suzuki, bllokuar këtyre shtetasve më datë 26 qershor nga ana e Policisë së Shtetit, sipas Interpol Athina, Greqi, rezulton të jetë denoncuar i vjedhur më datë 16.01.2014, në rajonin e Selanikut me pronar shtetasin grek D.G..”- thuhet në deklaratën e policisë. 

Policia e Shtetit duke rikonfirmuar angazhimin e saj maksimal për zbardhjen e vrasjes së Artan Santos dhe vënien para drejtësisë të autorëve të saj, i bën thirrje të gjithë qytetarëve të kontribuojnë në hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarje. Për çdo informacion të vlefshëm Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion shumën prej 100 mijë euro, duke garantuar ruajtjen e anonimatit. 

Ndërkaq, ndaj dy kushërinjve Klodian dhe Gazmir Gjozi të dyshuar si të implikuar me atentatin ndaj bankierit Santo është dhënë masa e sigurisë arrest me burg për 15 ditë.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/