Tiranë, 29 qershor 2014 – Policia duket e dorëzuar përballë dy vrasësve të bankierit Artan Santo. Në daljen e parë publike, 48 orë pas atentatit mafioz, Policia e Tiranës ka mundur thjesht të japë detajet e rrugës së ndjekur nga dy ekzekutorët deri në humbjen e gjurmëve të tyre në fshatrat e Fushë-Krujës.

Mirëpo, kalimi i tyre drejt kësaj zone dhe verifikimet e menjëhershme, kanë bërë që grupi i hetimit të përqendrohet pikërisht në zonën mes Fushë-Krujës dhe Lezhës, për të gjetur jo vetëm autorët e atij ekzekutimi por edhe motivet e vrasjes që tronditi vendin. Grupi i hetimit mësohet se ka mbërritur në burg dhe ka marrë në pyetje vëllain e të konsideruarit baroni i drogës, Gëzim Çelës, Kujtimin, i cili u arrestua orëve të mesnatës në një super operacion në Fushë-Kuqe, rreth tri javë më parë.

Po ndërsa Kujtimi u gjet në vilën e Çelëve në Fushë-Kuqe, Gëzimi, personi që mendohej si kreu i një rrjeti të fuqishëm kokaine që sigurohej në Amerikë Latine dhe më pas përfundonte në duart e grupit që ky drejtonte, mundi t`i ikte qetësisht policisë, ndonëse banonte në një prej zonave më të njohura të Tiranës. Mësohet se për vrasjen e bankierit Santo është pyetur edhe një tjetër emër proverbial, Astrit Bushi, i cili u arrestua 24 orë pas Kujtim Çelës dhe shpalljes në kërkim të Gëzim Çelës.

Mirëpo, pavarësisht këtij fokusimi të grupit të hetimit tek grupi i kokainës, prokuroria nuk bën me dije asnjë lloj lidhjeje mes viktimës dhe të cilësuar si baronët e drogës, edhe pse rreth 4 orë pas vrasjes të gjitha kërkimet dhe hetimet jo vetëm për vrasësit por edhe për autorët është përqendruar pikërisht në Fushe-Kuqe dhe aktivitetin kriminal që kishte si qeli, sipas prokurorisë, shtëpinë e Gëzim Çelës.

Operacion i 12 qershorit

Prokuroria kishte marrë informacion për veprimet që do të realizonte, sipas tyre, grupi kriminal dhe në bashkëpunim me policinë ndërmorri operacionin. Në fakt, në Kosovë ishte kryer goditja e parë, ndërsa ishte dhënë sinjali për bllokimin e një makine me të cilët udhëtonte korrieri, një i ri, i cili mësohet se sasinë prej 7 kilogramësh të kokai- nës do ta dorëzonte në Fushë-Kuqe për llogari të Gëzim Çelës.

Grupi i hetimit bashkë me ekspertët e policisë kishin mundur të organizonin gjithçka në mënyrë që të kryenin edhe prangosjen e Gëzim Çelës, por në fakt, në shtëpi u gjet vetëm vëllai i tij, Kujtimi. Ai u vu menjëherë në pranga, ndërsa u sekuestrua një sasi heroine dhe armë të kalibrave të ndryshëm, deri edhe snajpera. Sipas të dhënave të atyre ditëve u bë me dije se pati dyshime që operacioni i policisë për arrestimin e Gëzim Çelës u dekonspirua, por pas masës së arrestit të lëshuar ndaj tij dhe të vëllait, u duk se u harrua historia e tyre me kokainë.

Rreth 24 orë më vonë policia ndërhyn duke bërë edhe arrestimin e Astrit Bushit, për të cilin në fakt nuk patën asnjë provë që e lidhte me trafikun e kokainës, por në momentin e ndalimit laçianit iu gjet një armë zjarri dhe tashmë mbahet në burg për armëmbajtje pa leje, bashkë me një tjetër person nga Fieri. Ende Policia dhe Prokuroria nuk shpjegojnë lidhjet e të ndjerit me këtë grup të njohur prej shumë vitesh si bosë të trafikut ndërkombëtar të heroinës dhe të kokainës.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/