Tiranë, 30 qershor 2014 – Gazeta “Panorama” shkruan sot se një seri kontradiktash janë gjetur nga hetuesit në analizimin e pamjeve të kamerave të sigurisë dhe dëshmive të dhëna nga 4 punonjësit e policisë për vrasjen e Artan Santos. Ata kanë vonuar njoftimin për Policinë e Rendit, duke bërë të mundur që autorët të largohen. Katër policët kanë dhënë dëshmi kontradiktore.

Kontradiktat fillojnë që në vendin e ngjarjes ku nga pamjet e kamerave filmike vihet re se pak çaste para vrasjes, polici rrugor që ndodhej pranë kryqëzimit në zonën e ish-Bllokut ka pasur një kontakt me personat në motorin e vrasësve. Polici në fjalë u ka kërkuar të lëvizin autorëve që kishin ndaluar motorin, por vetëm në një distancë jo më shumë se 3 metra nga ky vend personat në motor qëlluan biznesmenin duke e lënë të vdekur në vend. Në dëshminë e policit që është marrë në pyetje, thuhet se ai ka dashur të nxjerrë armën pas të shtënave, por nga pamjet e kamerave nuk rezulton ta ketë kryer këtë veprim.

Përkundrazi, polici del se është fshehur pas trungut të njërës prej pemëve në intervalin mes të shtënës së parë drejt makinës së Artan Santos kur ai po dilte nga mjeti dhe goditjeve që janë bërë kur biznesmeni hipi në trotuar dhe po drejtohej për te hyrja e bankës. Pas të shtënave polici ka dalë nga pas pemës, dhe siç del nga pamjet, njëri nga autorët i ka drejtuar armën. Më pas motori është larguar rrugicës drejt Librit Universitar ku ndodhej një tjetër polic në kryqëzim, i cili nuk ka pasur dijeni për vrasjen deri në këtë kohë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/