Tiranë, 13 korrik 2014 – Vrasja e bankierit Artan Santo vazhdon të mos ketë zyrtarisht asnjë autor, megjithëse dy kushërinjtë Klodian dhe Sajmir Gjozi, prej rreth 15 ditësh ndodhen në qeli. Prokuroria i ka kërkuar policisë më shumë prova fajësie për këta të arrestuar, ndërkohë që vetë policia ka dhënë disa informacione se “në duart e këtyre personave janë gjetur mbetje baruti”.
Madje, kushërinjve Gjozi u është sekuestruar edhe një motor, teksa policia tha në atë kohë se “mjeti tip ‘Suzuki 650 Ç’ i bllokuar në një servis pranë fshatit Bubq, rezulton të jetë vjedhur në Greqi më 16 qershor një shtetasi nga Selaniku dhe ka hyrë në mënyrë të paligjshme në Shqipëri, pasi nuk është i regjistruar në dokumentet zyrtare të Ministrisë së Transporteve për mjetet motorike”.
Por, pas kësaj deklarate, asnjë e re nuk është bërë publike, teksa prokuroria do të përballet me gjykatën ditën e hënë më 14 korrik, kur i duhet që të faktojë se këta persona janë të dyshuarit për vrasjen. Por, ditët e fundit, akuza e kryeqytetit ka kërkuar pikërisht mjetin motorik, i cili ndodhet në Policinë e Durrësit, ndërsa dosja po hetohet në prokurorinë e këtij qyteti. Burimet nga Prokuroria e Tiranës pohojnë se kanë kërkuar një ekspertim të këtij motori, për të parë nëse është në gjendje pune, pasi familjarët e të ndaluarve pretendojnë se nuk është ndezur prej kohësh.





