Tiranë, 26 qershor 2014 – Vrasja e Artan Santos në qendër të Tiranës, pak metra larg zyrës së tij duket se ka qenë e planifikuar. Dy autorët që ekzekutuan biznesmenin kanë studiuar çdo lëvizje të këtij të fundit përpara se të kryenin vrasjen. Vetë shoferi i biznesmenit deklaroi sot se motori i ndiqte prej disa ditësh.
Ndërkohë në duart e prokurorëve ndodhen materiale dhe prova që tregojnë se si autorët janë parë të lëvizin me motor pranë shtëpisë së biznesmenit të njohur, gjatë mëngjesit, në pritje të daljes së tij nga shtëpia.
Nga burime të prokurorisë mësohet se autorët kanë studiuar rrugëtimin e Santos, nga shtëpia deri në punë. Autorët kanë pritur daljen e tij nga shtëpia dhe kanë ndjekur makinën që ka ecur përkrah godinës së Radio Televizionit Shqiptar, për të dalë më pas përpara tij dhe Ambasadës Italiane.
Ekzekutimi i biznesmenit nga vrasësit e tij është filmuar nga kamerat e sigurisë së bankës, përpara vendqëndrimit të rojës private dhe ka zgjatur më pak se 20 sekonda, bëjnë të ditur organet e hetimit.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





