Tiranë, 3 korrik 2014 – Gjurmët e barutit të gjetura në duart e dy kushërinjve Sajmir dhe Klodjan Gjozi do të jetë e vështirë të përdoren si provë për t'u cilësuar të dyshuar si autorë të vrasjes së biznesmenit Artan Santo.
“Gazeta Shqiptare” shkruan sot se lënda që është gjendur në pjesën e duarve të dy kushërinjve nuk është barut i mirëfilltë, por janë mbetjet të tij.
Ekspertët thonë se këto mbetje nuk mund të përdoren si provë për të lidhur dy personat me vrasjen, sepse mbetje të tilla mund të shkaktohen edhe nga duhani, guri fleksibël apo tymi i makinës dhe në kushtet kur dy të rinjtë punonin në një servis makine, këto elemente mund të gjenden shumë kollaj.
Edhe motori që iu është sekuestruar dy kushërinjve Gjozi nuk ka shumë ngjashmëri me motorin që është përdorur në këtë ngjarje.
Ndërkohë, grupi i ekspertëve është duke analizuar edhe tabulatet telefonike të telefonave që përdoreshin nga dy të rinjtë e arrestuar para dhe pas ngjarjes. Analiza që do t'u bëhet këtyre telefonave do të nxjerrë edhe fakte të reja nëse ditën e ngjarjes dy të dyshuarit Gjozi kanë qenë në Tiranë apo jo dhe nëse ka ndonjë element apo telefonatë që i lidh kushërinjtë me vrasjen e Santos.
Burime nga policia bëjnë me dije se janë sekuestruar të gjitha kamerat e bizneseve në kryeqytet, të cilat kanë qenë në një sipërfaqe më të gjerë se sa itinerari që ka përshkuar motori me dy vrasësit pas ekzekutimit të 58-vjeçarit. Burime nga grupi hetimor sqarojnë se pranë çdo komisariati në Tiranë është një zyrë e posaçme për grumbullimin e të gjitha pamjeve filmike që janë sekuestruar që nga dita e vrasjes deri ditën e sotme.
Deri tani, sipas ekspertëve, ajo që është parë nga këto pamje është vetëm motori që është larguar nga vendi i ngjarjes dhe rrugët që ai ka përshkuar. Nga pamjet duket qartë se tek mbikalimi i Liqenit të Thatë, autorët kanë përfituar nga fakti që ana e djathtë e rrugës, e cila ka qenë nën administrimin e komisariatit numër 2 ka qenë pa kordon policie dhe janë larguar nëpër rrugicat e kësaj zone.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





