Detaje të reja janë zbardhur për vrasjen e 39-vjeçarit shqiptar, Bledar Dedja, në Itali, si edhe për gruan që është marrë në pyetje gjatë hetimeve. 

Sipas raportimeve nga mediat italiane, mësohet se Dedja ka qenë në një lidhje jashtëmartesore prej dy vitesh, më një 30-vjeçare shqiptare. 

Para hetuesve, 30-vjeçarja ka pranuar se e kishte njohur Dedjan në një aplikacion takimesh. Ajo u gjurmua nga hetuesit pasi këta të fundit analizuan telefonin e viktimës.  

Shqiptarja ishte në mesin e shumë personave që policia italiane ka marrë në pyetje për vrasjen e 39-vjeçarit. 

Hetimet janë fokusuar pikërisht në pistën e krimit të pasionit. Dyshimet janë se Dedja, i cili ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë, bënte një jetë të dyfishtë, për të cilën bashkëshortja e tij nuk kishte dijeni. 

Ka dyshimet se ai ishte përdorues i rregullt i aplikacioneve të njohjeve online, që i finalizonte me takime, por dyshime ka po ashtu se ai mund të ketë pasur njohje me disa gra të tjera. 

Aktualisht nuk ka ende një autor për krimin e rëndë që ndodhi në Asolo të Treviso-s. Bledar Dedja u gjet i masakruar me thikë në pyjet e Paderno del Grappa. 

Sipas autopsisë, ai është goditur më shumë se 20 herë me thikë, por shkaku i vdekjes u identifikua si një goditje e vetme fatale në shpinë, mjaft e fuqishme për të shkaktuar gjakderdhje të brendshme në gjoks. 

Arma e vrasjes, mesa duket një thikë e madhe, nuk është gjetur ende, ndërsa plagët në krahët dhe duart e viktimës tregojnë përpjekjen e tij për t’u mbrojtur nga sulmet.