TIRANE – Babai i 18-vjeçarit Vilson Milkurti, i cili që dyshohet se ka marrë pjesë në plagosjen e shefit të krimeve të Burrelit, Musa Skura, pretendon se i biri nuk është i përfshirë në tregtinë e armëve, por ishte punësuar si punëtor ngarkim-shkarkimi nga personat që kryenin trafikun e armëve në Mat.
I ftuar në një emision, Petrit Milkurti shpjegon versionin e tij mbi ngjarjen e rëndë, duke shfajësuar të birin. Sipas tij, personi që drejtonte trafikun nuk është vendosur ende përpara drejtësisë.
“Koka e trafikut nuk është kapur akoma. Unë nuk kam asnjë marrëdhënie me ta. Fitim Alla dhe djali i Sinan Lleshit kanë qenë të përfshirë në këtë transport armësh. Djali im ishte punësuar si punëtor për ngarkim-shkarkim dhe paguhej 20 mijë lekë të vjetra. Atë ditë që u vra miku im Musa Skura, në mëngjes djalin e lamë në shtëpi. E ëma bashkë me djalin tjetër e gjetën në shtëpi kur u kthyen. Unë isha në kafe me një shok dhe kam shkuar në shtëpi rreth 1 orë më vonë, djali kishte dalë.
Gruaja më tha se kishte dalë për të blerë fara luledielli. Kur kam dëgjuar që Musa Skura është plagosur isha në shtëpi. Në këtë kohë bie telefoni nga Durrësi, kunata ime më mori dhe më tha se është plagosur Musa Skura nga Fitim Alla dhe doli edhe emri i Vilsonit. Vilsonit i çova zile në telefon, i shkoi zilja dhe pas 4-5 minutash telefoni u mbyll. Policia bëri rrethimin e zonës me forcat RENEA. Kur kanë ardhur 8-9 persona të RENEA-s në shtëpi më thonë je i arrestuar, mos lëviz.”- deklaron Petrit Milkurti.
Ngjarja
Komisari Musa Skura u plagos mbrëmjen e 13 janarit gjatë një operacioni për arrestimin e anëtarëve të një bande që trafikonte armë. Në aksion e sipër, disa persona kanë shkëmbyer zjarr me efektivat blu. Për pasojë u plagos me 1 plumb në gjoks dhe 2 të tjerë në trup 57-vjeçari Musa Skura. Gjithashtu, mbeti i plagosur edhe njëri prej agresorëve, Fitim Alla. Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën nacionale Burrel-Klos, në afërsi të fshatit Suç të rrethit të Matit.
Ndërhyrja e punonjësve të policisë ka qenë e shpejtë dhe është bërë i mundur arrestimi i Fitim Allës, 19 vjeç, banues në fshatin Rripe të Matit dhe Vilson Milkurti, 18 vjeç, banues në fshatin Suç të Matit. Ndërkohë, në afërsi të vendit të ngjarjes janë kapur edhe 2 autorët e tjerë, të cilët dyshohet se janë përfshirë në rrjetin kriminal. Të arrestuarit janë Edison Lleshi, 18 vjeç dhe i mituri me inicialet A.Ll., 15 vjeç, që të dy nga fshati Dom i Matit.
Shefi i krimeve të policisë së Matit u dërgua me helikopter në Spitalin Ushtarak të Tiranës, në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai iu nënshtrua një operacioni që zgjati rreth 6 orë dhe më pas u transportua në spitalin e Foxhias në Itali me një avion të posaçëm. Por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë, Skura kaloi në gjendje kome dhe nuk arriti ta fitonte betejën me vdekjen. Ai ndërroi jetë mbrëmjen e 21 janarit.
Musa Skura punonte pranë Policisë së Shtetit prej rreth 30 vjetësh. Policia e Shtetit thotë se 57-vjeçari e njihte dhe organizonte shumë mirë punën që i ishte ngarkuar. Prej gjashtë vjetësh ishte emëruar në pozicionin e shefit të krimeve. Komisar Skura ka kryer shërbime në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Të gjithë e njihnin si një person me personalitet. Ndërkohë, ai është baba i tre djemve, ku më i vogli prej tyre është në klasën e dytë fillore.





