Presidenti, Ilir Meta ka reaguar për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Fier, ku 38-vjeçari, Klodian Çalamani vrau dhe groposi një fëmijë 8-vjeçar.
Meta thotë se vrasja e të miturit ditën e djeshme është thirrje alarmuese për institucionet shtetërore dhe tregues i mosfunksionimit të zinxhirit të sistemit, nga vënia e drejtësisë, deri te ndëshkimi e më pas rehabilitimi.
Sipas kreut të shtetit krimi makabër, që i mori jetën një fëmije të pafajshëm, ka autor, por ka dhe bashkëpërgjegjës, që nuk kanë përmbushur detyrimet shtetërore, duke krijuar terrenin për këtë vepër penal.
“Vrasja e të miturit ditën e djeshme në qytetin e Fierit, nga një person me precedentë penalë, është thirrje alarmuese për institucionet shtetërore dhe tregues i mosfunksionimit të zinxhirit të sistemit, nga vënia e drejtësisë, deri te ndëshkimi e më pas rehabilitimi.
Krimi makabër i djeshëm, që i mori jetën një fëmije të pafajshëm, ka autor, por ka dhe bashkëpërgjegjës, që nuk kanë përmbushur detyrimet shtetërore, duke krijuar terrenin për këtë vepër penale. Nuk mjafton, që përfaqësuesit e institucioneve të dalin me shprehje tronditëse për ngjarjen dhe ta dënojnë atë. Duhen ndërmarrë nisma konkrete për të forcuar hetimin, parandalimin e veprave të tilla nga individë, që dukshëm kanë premisat për të qenë recidivistë dhe për t`u përfshirë në krim, dhe për të cilët sistemi rehabilitues penitenciar dhe i post vuajtjes së dënimit, nuk ka funksionuar. Nuk kam fjalë për të ngushëlluar familjen e të voglit Mateo.
Zoti dhe drejtësia ua lehtësoftë dhembjen!”, shkruan Meta.





