Pas vrasjes së 19-vjeçarit grek Alkis Kampanos në Selanik, krim për të cilin akuzohet dhe është arrestuar një shqiptar 23-vjeçar, si pjesë e një sulmi të 10 huliganëve, dosja për huliganizmin dhe dhunën e tifozëve është kthyer në një prioritet absolut në Athinë dhe në të gjithë Greqinë.

Alkis Kampanos u rrah dhe u godit me thikë për vdekje në një zënkë me të tjerë tifozë natën e 1 shkurtit pranë stadiumit të Arisit të Selanikut, klubit të tij të zemrës.

Që nga ai moment Greqia ka vendosur të ashpërsojë ligjet për të luftuar dhunën në eventet sportive dhe ndërkohë autoritet kanë kryer kontrolle të shumta dhe hetime në ditët e fundit, për sa u përket grupeve të ultrasëve, duke vënë në epiqendër selitë e disa grupimeve më të famshme të tifozëve ultras.

Siç raportojnë mediat greke, janë kryer më tepër se 15 kontrolle blic në klubet e Olimpiakos, të Panathinaikos dhe të AEK-ut. Kontrollet e policisë greke, kanë marrë jetë kryesisht në zonat e Nea Ionia, Galatsi, Aspropyrgos, Megara, Markopoulos dhe Lavria, vendet e tifozëve të skuadrave kryesore të Athinës, ku forcat e rendit kanë vendosur të mbyllin dhe vulosin selitë e tifo-grupeve të organizuara.