Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion për çdo informacion të vlefshëm që do çojë në zbardhjen e vrasjes së 3 personave në Fushë-Krujë, 3 milionë lekë të rinj.

“Policia e Shtetit ka vënë menjëherë në dispozicion për çdo informacion të vlefshëm që do çojë në zbardhjen e ngjarjes, 3 milionë lekë të rinj.

Cilido që ka informacion të vlefshëm ta dërgojë në numrin e telefonit 069 41 10 853, i cili ka të disponueshëm edhe aplikacionin WhatsApp, duke ju garantuar anonimat të plotë dhe të sigurtë.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të bashkëpunojnë me strukturat policore në interes të rritjes së parametrave të rendit e sigurisë dhe të parandalimit të ngjarjeve kriminale që cënojnë jetën dhe pronën e qytetarëve”, thotë policia.

22-vjeçari Brilant Martinaj, 30 vjeçari Dikler Vata, dhe Besmir Hoxha, po udhëtonin me një mjet Volkswagen Passat nga Fushë-Kruja në drejtim të Laçit, kur rreth orës 14:00 nga një makinë tjetër po Volkswagen u qëlluan me breshëri automatiku.

Dikler Vata ishte viktima e parë që u identifikua, pasi mundi të dalë nga makina, por autorët që ishin ende në vendngjarje kanë qëlluar ndaj tij me një tjetër breshëri, duke u siguruar që të mos mbijetonte, duke e lënë të vdekur në mes të rrugës. Ndërsa Hoxha dhe Martinaj mbetën të bllokuar brenda mjetit që shpërtheu në flakë.

Brilant Martinaj ishte i dyshuar për vrasjen e policit Xhulio Prela para dy vitesh. Kurse Dikler Vata rezulton person me precedentë penalë për trafik narkotikësh.

Nga krehja e zonës, në Larushkë, është gjetur duke u djegur një automjet tip “Volswagen Passat” që dyshohet se është i autorëve. Në brendësi të automjetit është konstatuar një automatik që dyshohet se është përdorur nga autorët për të kryer krimin.

Nuk dihen ende shkaqet e atentatit, ndërsa dyshimet e para janë pazaret e drogës. Policia ngriti grupe kontrolli në të gjithë zonën, ndërsa për hetime në vendngjarje mbërritën drejtuesit më të lartë të policisë.