Esat Dushaj, autori i vrasjes së dy vëllezërve në Postribë të Shkodrës, dyshohet se ka kryer vrasjen me paramendim. Ai ishte refuzuar në distancë (përmes shkesëve) për të lidhur krushqi me familjen Shkambi.

Burime pranë policisë bëjnë të ditur se ai kishte rënë në dashuri me vajzën e Skender Shkambit, e cila jetonte në Londër me familjen prej disa vitesh. Banorët thonë se Skënderi kishte dy vite që nuk e sillte vajzën në fshatin e lindjes, vetëm për shkak të këtij insistimi nga ana e Esat Dushajt.

30-vjeçari, thuhet se komunikonte në rrjetet sociale me vajzën 20-vjeçaren. Nuk dihet nëse ka pasur edhe nga ana e vajzës pëlqim për bashkëfshatarin e saj Esat Dushaj. Ajo që dihet me saktësi është se Esati insistonte shumë të bëhej dhëndër në familjen Shkambi, shkruan syri.net.

Skënderi kishte ardhur për festat e fundvitit tek vëllezërit dhe nëna e tij e moshuar. Ai ka qenë me të vëllanë Abdullain kur u ka dalë para Esati. Rrethanat e ngjarjes dhe ajo çfarë është biseduar është e paqartë, pasi dy vëllezërit humbën jetën, ndërsa autori është në arrati.