Pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Klevis Alla, dy persona të tjerë janë arrestuar si autorë të dyshuar për vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës.
Bëhet me dije se në pranga të policisë kanë rënë shtetasit Besian Xhixha dhe Enver Diva. Dy të prangosurit mësohet se janë kontaktuar nga Nuredin Dumani për të kryer vrasjen.
Ata kanë parë vendin dhe kanë studiuar territorin dhe kanë rënë dakord që të kryejnë vrasjen me pagesë. Por Enver Diva u infektua me Covid dhe në këtë mënyrë nuk e kreu dot “misionin” e tij.
Kujtojmë që vrasja e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia ndodhi më 27 prill, rreth orës 16:40 te tregu i makinave në Durrës. Ata u qëlluan teksa po lëviznin me makinën e tyre tip “Golf” ku u gjetën të pajetë brenda mjetit.
Nuredin Dumani së bashku me të shumëkërkuarin Talo Çela si dhe Altin Ndocin janë nën akuzë nga SPAK për vrasjen e vëllezërve.
Ndërkohë pretendohet se është i njëjti grup kriminal që ka urdhëruar edhe vrasjen e 2 marsit ku mbetën të vrarë në po të njëjtën zonë Dorjan Shkoza 35 vjeç, dhe Anxhelo Avdia 24 vjeç.





