Itali, 6 maj 2014 – Pas vrasjes makabre të 26 vjeçares rumune Andrea Cristina Zamfir, e cila u gjet e zhveshur dhe e kryqëzuar në një tra, në një rrugë në periferi të qytetit të Firences, policia po heton për identifikimin e vrasësit të saj.
Sipas medieve italiane, pista më e mundshme është ajo e një maniaku apo vrasësi seksual, pasi episode të ngjashme janë verifikuar në këtë zonë në vite të ndryshme. Megjithë dyshimet, asnjëherë policia nuk ka arritur të zbardhë 6-7 krime të ngjashme, të regjistruara në Firence.
Në mars të 2013, një grua italiane, 45 vjeçe, u gjet e përdhunuar dhe e grabitur, si dhe e lidhur në të njëjtën mënyrë në afërsi të vendit ku gjeti vdekjen 26 vjeçarja rumune.
Mësohet së Andrea punonte prej vitesh si prostitutë, por punonte për llogari të vet. Ajo nuk ishte e lidhur me ndonjë nga rrjetet e prostitucionit dhe për këtë shkak mendohet se do të jetë më e vështirë për të rënë në gjurmët e klientit që i mori jetën.
26 vjeçarja ndodhej prej vitesh në Itali, dhe sipas policisë nuk kishte pasur precedentë penalë, përveçse ndonjë problemi me përdorimin e lëndëve narkotike. Ndërkohë, ngjitësi me të cilin ishin lidhur duart e vajzës rezulton të jetë vjedhur në qendrën universitare spitalore të Careggi-t.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





