Gjykata italiane ka lënë në burg 51-vjeçarin Agim Ajdinaj, i dyshuar si autori kryesor i vrasjes së gruas marokene Bencheickh Khadija 46 vjeç, me të cilën bashkëjetonte.

Ndërkohë, nipi i autorit, Lisand Ruzhdija 27 vjeç, është lënë i lirë me masën “detyrim paraqitje”.

Ngjarja për të cilën u akuzuan dy shqiptarët ka ndodhur më 30 dhjetor në Verona.

Trupi i pajetë i gruas marokene u gjet i ndarë në disa pjesë, pasi ishte dhunuar për vdekje duke u goditur me sende të forta në kokë.

Mediat italiane raportojnë se 51-vjeçari nga Fieri Agim Ajdinaj do të qëndrojë në paraburgim deri në përfundim të hetimeve si i dyshuari kryesor për vrasjen e 46-vjeçares dhe copëtimin e fshehjen e trupit të saj.

Hetuesit kanë kontrolluar përsëri banesën e Agim Ajdinajt. Ata gjetën gjurmë gjaku në shtëpi dhe në garazh, gjë që i shtyn të besojnë se 51-vjeçari shqiptar është i dyshuari kryesor për vrasjen makabre.