Një larje hesapesh dyshohet të ketë qenë shkaku i atentatit të ndodhur mesditën e sotme në Athinë, ku humbi jetën Irakli Davella, dhe u plagos rëndë Edi Lolo. Ky i fundit, kishte mbërritur në Greqi nga Dubai pak ditë më parë

Sipas Protothema, vitkima 45-vjeç, nuk ishte një emër i panjohur, pasi kishte lidhje me persona të mafias greke që ishin vënë në shënjestër të autoriteteve. Davella ishte shtetas grek, me origjinë shqiptare, pronar i një lokali në Peristeri. Gjithashtu rezulton të ketë qenë miku i 3 personazheve të tjerë të ekzekutuar në Greqi vitet e fundit, konkretisht mafiozëve grekë Manolis Karagiannis, Vasili Griva dhe Giorgo Litsa.

Autorët e sulmit ishin në një makinë që ishte vjedhur më herët ditën e sotme. Vrasja e sotme ndodhi jashtë ambienteve të lokali në kryqëzimin e rrugëve Aristotelous dhe Komotinit. Autorët e maskuar kanë qëlluar në drejtim të shqiptarëve dhe Davella ka marrë një plumb në kokë, i cili ka qenë fatal. Ndërkohë Lolo dyshohet se është plagosur në kokë dhe në bark. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po heton vrasjen e po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.