Janë zbardhur të tjera detaje nga dosja hetimore e vrasjes brenda burgut të Peqinit, ku i dënuari Sokol Mjacaj vrau Arben Lleshin, një tjetër të dënuar.

Në dosje janë të përfshira dhe dëshmitë e punonjësve dhe drejtuesve të institucionit.

Pjesa e parë e dokumentarit:

Emri i Sokol Mjaçaj, gati ishte zhdukur nga qarkullimi, që nga ajo mbrëmje e 3 Korrikut 2015, kur ai qëlloi për vdekje dy turistë çekë në fshatin Prekal të Dukagjinit, me qëllim grabitjen e sendeve të tyre personale. Që nga ajo datë dhe deri në ditën e shpalljes së vendimit për burgimin e tij të përjetshëm, askush nuk kishte dëgjuar më për këtë djalë, për profilin e tij gjakftohtë.
Gati si në një harresë që u vjen më shumë përshtat natyrave të tyre flegmatike, ashtu si dhe u rikthye emri i tij në vëmendje, mesditën e 15 Dhjetorit 2023, kur sërish gjakftohtë, eci i pa shqetësuar dhe me hap të ngadaltë në ambientin e ajrimit në Burgun e Sigurisë së Lartë në Peqin, dhe po me aq qetësi thirri në emër viktimën e tij të radhës, futi armën brenda dritares së qelisë së tij dhe me po aq pa droje iu përgjigj apelit, teksa qëlloi tri herë ndaj tij duke e lënë të vdekur.

Ekzekutim që jo vetëm nuk ishte dëgjuar ndonjëherë brenda burgjeve shqiptare, por tronditi rëndë edhe sigurinë në këto institucione, ku masat duhet të ishin më vigjilente se kudo.

“Nga kryerja e veprimeve hetimore deri në këto momente rezulton se, më datë 15 Dhjetor 2023 rreth orës 13:52 në ambientet e regjimit të brendshëm të IEVP Peqin, shtetasi Sokol Mjaçaj (i dënuar me burgim përjetshëm, i caktuar me vendim gjykate siguri e lartë) ka gjuajtur me armë zjarri pistoletë në drejtim të shtetasit tjetër të dënuar Arben Lleshi duke e lënë të vdekur dhe Indrit Shaqja, duke e lënë të plagosur. Më pas ky shtetas ka kanosur me këtë armë punonjësit e shërbimit si dhe është izoluar me armë në dorë në ambientet e takimeve me familjarët në këtë burg. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një armë zjarri, 5 gëzhoja, si dhe dy predha të dëmtuara.”, thuhet nga hetimet.

Por si ndodhi ekzekutimi i Arben Lleshit, dhe përse u zgjodh Sokol Mjaçaj, një i dënuar siç thamë me burgim të përjetshëm, për të kryer elemiminin e tij?

Ishte ky një krim, i ndodhur sipas dëshmisë së dhënë nga Mjaçaj, pas refuzimit që Arben Lleshi i kishte bërë qëndrimit të tij në sektorin ku ky i fundit kishte qelinë apo ishte një atentat mafioz i organizuar nga persona të cilët kishin konflikte të hapura jashtë burgut me Arben Lleshin?

Kush ishte Arben Lleshi dhe pse jashtë burgut ai kërkohej të eliminohej me çdo kusht? Cila është historia e tij e përplasjes me fisin Hoxha, që ka shkaktuar në harkun kohor të 10 viteve të fundit, shumë të vrarë, të zhdukur dhe të rrëmbyer.

“Nga këqyrja në ambientet e godinës së përshtatur për takimet me familjarët është gjetur një armë zjarri me numër J132766 ku brenda në fole u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 5 gëzhoja me kapsollë të goditur. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes janë marrë me tampon steril njolla me ngjyrë të kuqe të cilat janë të ngjashme si ato të gjakut njerëzor. Po kështu është këqyrur dhoma e akomodimit të Sokol Mjaçaj, ku u konstatua se tualeti ishte jo i montuar mirë dhe kaseta ishte jashtë funksionit.”, thonë hetimet.

Sipas dinamikës së zbardhur të krimit të ndodhur mesditën e datës 15 Dhjetor në Burgun e Sigurisë së Lartë në Peqin, vetëm një orë para se të kryente vrasjen, Sokol Mjaçaj ndodhej në ambientet e ajrimit të këtij burgu, bashkë me të dënuar të tjerë. Ndërsa Arben Lleshi ndodhej në qelinë e tij, të cilën thuhet se e ndante bashkë me të dënuarin tjetër me burgim të përjetshëm, Indrit Shaqja. Pikërisht në orën 13.52, Sokol Mjaçaj mendohet se teksa ndodhej në ajrim është drejtuar për në sektorin nr.3 të burgut të Peqinit.

Edhe pse ky nuk ishte sektori i tij, çuditërisht ai nuk është ndaluar në drejtimin e tij nga asnjë prej rojeve të sigurisë së institucionit, por ka vazhduar të ecë i qetë për metra të tërë, deri te qelia ku ndodhej Arben Lleshi. Aty ku thuhet se është ndalur dhe pasi e ka thirrur ne emër, me të parë që viktima e tij është afruar pranë dritares së qelisë, ka drejtuar armën e tipit pistoletë dhe ka qëlluar me disa plumba ndaj tij, duke e lënë të vdekur në vend, por duke lënë të plagosur edhe të burgosurin tjetër, Indrit Shaqja.

“Nga hetimet deri në këto momente rezulton se, më datë 15 Dhjetor 2023 rreth orës 13:52 në ambientet e regjimit të brendshëm të IEVP Peqin, shtetasi Sokol Mjaçaj (i dënuar me burgim përjetshëm, i caktuar me vendim gjykate siguri e lartë) ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të shtetasit tjetër të dënuar Arben Lleshi duke e lënë të vdekur dhe Indrit Shaqja, duke e lënë të plagosur. Më pas ky shtetas ka kanosur me këtë armë punonjësit e shërbimit si dhe është izoluar me armë në dorë në ambientet e takimeve me familjarët në këtë burg”, thuhet në hetime.

Ashtu sikurse kreu krimin gjakftohtë, Sokol Mjaçaj kishte menduar gjithçka me hollësi, ose dikush pranë tij ishte kujdesur për çdo detaj, se si ai të vepronte qoftë gjatë vënies në zbatim të planit për vrasjen e Arben Lleshit, por edhe se si të tërhiqej në një qeli dhe të kërkonte nga aty, që të vinin ta takonin drejtuesit e lartë të policisë dhe të burgut.

Një mënyrë kjo me siguri e menduar nga ai, jo vetëm për t’i shpëtuar dhunës së gardianëve, por edhe të burgosurve të tjerë, që mund të ishin lidhur me Arben Lleshin dhe mund ta keqtrajtonin në atë moment.

“Më datë 15 Dhjetor 2023 rreth orës 13.52 minuta kam qenë në ambientet e zyrës. Gjatë kësaj kohe kam dëgjuar në radio se diçka po ndodhte në godinën B, në ambientet e ajrosjes, dhe se duhej thirrur menjëherë ambulanca. Në këtë moment kam dalë nga zyra dhe jam nisur për në regjimin e brendshëm, aty ku kam parë se dy të dënuar ishin plagosur me armë zjarri. Nga punonjësit e policisë të planizuar për ajrosje dhe takimet me familjarët mësova se i dënuari Sokol Mjaçaj, ishte tek dhoma e takimeve dhe kishte armë me vete. Pasi afrohem tek dera, i burgosuri më tha që; ‘Dua prokurorin se dua të dorëzoj armën’. Kjo ishte e vetmja kërkesë që kishte.

Pas shumë negociatash, bashkë me drejtorin e përgjithshëm shkuam, i dhamë një palë pranga, me të cilat u prangos vetë dhe e la armën në tokë siç i thamë ne”, ka dëshmuar Kamber Hoxha, drejtor i IEVP Peqin.

Në dëshminë e tij të parë të dhënë për hetuesit, Sokol Mjaçaj, ashtu siç pritej u tregua fjalëpakët, madje indiferent, duke krijuar një histori aspak të besueshme për oficerët e policisë, ashtu si edhe për armën e krimit.

“Shkuam me shpejtësi dhe unë u afrova i pari te dera hyrëse, me qëllim për ta hapur. Në këtë moment Sokol Mjaçaj më drejtoi një armë zjarri, të llojit pistoletë dhe më tha: ‘Shef mos u afro! Mos hy në gjak me mua, se nuk kam gjë me ty’.

I kërkova t’a ulte armën dhe të flisnin për të sqaruar rrethanat, pasi aktualisht nuk e dija se çfarë kishte ndodhur. Në këtë kohë, u afrua Drejtori i Institucionit, i cili më urdhëroi ta mbyllja derën dhe vazhdoi të komunikonte me të dënuarin, duke i bërë thirrje vazhdimisht që të qetësohej dhe të ulte armën”, ka deklaruar Qani Muça, specialist i Regjimit të Posaçëm Biz-41.

Por ndërsa bëri këtë deklarim, e dyshimtë ishte se si ai kishte mundur të siguronte një armë të tillë dhe mbi të gjitha ta mbante atë të paekspozuar ndaj rojeve të sigurisë në institucion dhe a ishte e mundur mbajtja e armës nga një i burgosur pa dijeninë të një renegati brenda radhëve të gardianëve të burgut të Peqinit?

Sipas grupit hetues, Sokol Mjaçaj, lëvizte i armatosur brenda ambienteve të burgut të Peqinit për afro 20 ditë, por deri më tani është bërë e pamundur të mësohet se nga kush e kishte siguruar ai këtë armë.

“Nëninspektor Indrit Dubali, shkurtimisht në mënyrë të përmbledhur, na sqaroi se i paraburgosuri Sokol Mjaçaj, kur kishte dalë nga fusha e ajrimit për të shkuar në dhomë, nga dritarja e dhomës ku ka ndodhur ngjarja, kishte komunikuar me të dënuarin Indrit Shaqja dhe i kishte kërkuar që të thërriste, për të komunikuar, të dënuarin Arben Lleshi.

Sapo ishte afruar i dënuari Arben Lleshi te dritarja, Sokol Mjaçaj e kishte qëlluar me armë. Njëkohësisht, i kishte drejtuar armën edhe punonjësit të vëzhgimit, Indrit Dubali, duke i kërkuar që të hapte portën për të dalë nga pjesa e ajrimit.

Nëninspektor Indrit Dubali, nën kërcënimin e armës, kishte hapur portën dhe i burgosuri i armatosur kishte vrapuar në drejtim të ambienteve të takimeve të Godinës B, duke u futur brenda tyre, ku edhe e gjetëm ne. Ndërkohë pas tij kishin shkuar, duke vrapuar edhe disa të dënuar të tjerë, shokë me të dëmtuarit Arben Lleshi dhe Indrit Shaqja.

Në lidhje me kontrollin e elementëve të sigurisë, kontrolli i fundit është kryer ditën e martë, por nuk di të them se kush kanë qenë personat që e kanë kryer. Këtu dua të theksoj se kontrolli i ditës së martë kryhet nga specialisti i regjimit përkatës dhe vetëm ai i ditës së shtunë kryhet nën drejtimin e Shefit të Policisë. Unë nuk kam marrë pjesë asnjëherë në kontrollin e ambjenteve ku kanë qenë të akomoduar të dënuarit e mësipërm, pasi kam kryer kontrollin e Seksionit të Paraburgimit dhe të Regjimit të Posaçëm”, ka deklaruar më tej Qani Muça, specialist i Regjimit të Posaçëm Biz-41.

Pavarësisht bindjes së ndryshme të hetuesve, Sokol Mjaçaj vazhdoi t’i qëndrojë idesë së tij se Arben Lleshin e vrau sepse kishte sherr me të, kjo sipas tij, pasi ai nuk e kishte pranuar në sektor.

“Sokol Mjaçaj, që nga koha që unë erdha i komanduar në detyrën e drejtorit të IEVP Peqin në datën 22 Nëntor 2023, e kam gjetur të akomoduar në godinën e cilësuar si godina e 41-Biz. Ku ai ishte i akomoduar aty i vetëm në dhomë.

Për shkak se 41-Biz do të hapej, dhe duhet të boshatiseshin sektorët ku ishin të akomoduar rreth 20 të burgosur, Sokol Mjaçaj e kemi sistemuar në katin e dytë të godinës B. Nga komunikimet që unë pata me punonjësit e ajrosjes m’u tha që Sokoli u kishte kërkuar që të shkonte të merrte kafe në dhomë. Ai ka shkuar nga ajrosja që gjendet në katin e parë, për në katin e dytë ku ndodhej dhoma e tij, pastaj ka zbritur përsëri poshtë për të dalë për në sheshin e ajrosjes. Dhoma ku janë dy të dëmtuarit është dhoma e parë, majtas në katin e parë, në një distancë rreth 5 metër nga sheshet e ajrimit.”, ka dëshmuar Kamber Hoxha, drejtor i IEVP Peqin.

Pasi kreu krimin Sokoli i vendosi pistoletën në qafë punonjësit të policisë, por organi i akuzës, ka dyshimet e veta se Sokol Mjaçaj e kreu ekzekutimin kundrejt pagesës, dhe se vrasja lidhet me të shkuarën e errët të viktimës, Arben Lleshi. Hasmëri të pambyllura që duket se ai i kishte lënë jashtë qelisë së burgut, ku po vuante dënimin për burgim të përjetshëm.

“Sokol Mjaçaj ka qenë më parë në godinën A, dhe 3 muaj më parë ai është kaluar në Godinën B, hyrja nr.2. Katër ditë më parë ai është akomoduar në dhomën nr.9, në katin e dytë, sektori nr.1. Gjatë këtij akomodimi ai është shoqëruar nga një punonjës grup sigurie dhe sendet e tij ai i ka marrë vetë në dorë nga dhoma ku qëndronte.

Ajo që dua të them është se kontrolli i dhomës dhe ai fizik i Sokol Mjaçaj është bërë rreth 1 muaj e 15 ditë më parë, ku nga kontrolli nuk u konstatua asnjë send i kundraligjshëm. Takimi i fundit që Sokoli ka bërë ka qenë rreth 3 muaj më parë dhe më sa më kujtohet takimin ai e ka kryer me kunatën ose me vëllain. Për sa i përket Arben Lleshit, ai ka qenë i akomoduar në katin e parë, Sektori nr.2, godina.”, thuhet në dëshminë e Vilson Shimës, Shef i Regjimit.

Ekzekutimi mafioz i Arben Lleshit brenda qelisë, çoi grupin hetues edhe në prerjen e 18 fletëarresteve, ku të shoqëruar u bënë punonjës aktualë të policisë së burgjeve, ish-drejtues të saj, si edhe zyrtarë madhorë në detyrë të këtij institucioni. Ndërkohë që për Sokol Mjaçaj, kishte një urdhër për vendosjen e tij në regjimin e rreptë Biz – 41, të firmosur nga ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja. Urdhër të cilit Sokol Mjaçaj i parapriu, duke shpejtuar krimin dhe shkrehur armën ndaj Arben Lleshit, para se të izolohej në regjimin që do ti pamundësonte më pas për një kohë të pacaktuar të kryente brenda burgut lëvizje të ndryshme.

“Në momentin që ndodhi ngjarja rreth orës 13:45 min, unë isha tek ambientet e takimeve. Ku aty kam dëgjuar në radio se kërkonin ‘Ndihmë nga grupi i sigurisë së burgut’. Sokol Mjaçaj rrinte brenda dhomës së takimit, pashë vetëm që kishte diçka të zezë në dorë por nuk e pashë mirë, pasi ishim të trembur.

Mesa mbaj mend takimin e fundit e ka pasur nga mesi i muajit Shtator, me vëllain e tij Paulin Mjaçaj dhe me një Valentina Mjaçaj, nuk e di se çfarë e kishte. Sokoli nuk mbahej për tip që hynte në konflikte. Di që rrinte vetëm në dhomë”, ka dëshmuar Brunilda Hyra, shoqëruese në regjimin e brendshëm.

Por për ti kthyer Arben Lleshit, cila është e shkuara e tij që e çoi atë drejt këtij fundi, të pamenduar për të? Gjithçka duket se nis në vitin 2012, atëkohë vetëm 26 vjeç, Arben Lleshi jetonte në Britaninë e Madhe, aty ku ai thuhet se kreu një krim të përbindshëm. Sipas mediave britanike, ai ishte i përfshirë në ekzekutimin dhe më pas përçudnimin e trupit të Agim Hoxhës, një tjetër shqiptari që ndërkohë jetonte në Angli. Trupi i të cilit pasi ishte vrarë, ishte gjetur më pas i shkrumbuar në një makinë, ku në lidhje me këtë ngjarje, në pranga në atë kohë ra edhe vëllai i Arben Lleshit, i cili thuhet se e ndihmoi për fshehjen e provave.

Mediat angleze shkruanin në atë kohë se viktima ishte vrarë në një tjetër vend nga ku më pas u gjet i shkrumbuar në makinë. Dyshimet më së shumti u ndalën te prishja e pazareve të drogës, por edhe te origjina e autorit dhe viktimës, të cilët thuhet se vinin nga e njëjta zonë në Shqipëri, Mati, ndërsa jetonin dhe punonin bashkë. Çka çoi në mendimin e tyre të parë, se arsyeja që çoi drejt këtij krimi monstruoz ishte prishja e pazareve, në punët që ata kishin nisur së bashku në trafikimin e lëndëve narkotike.

Arben Lleshi, u gjykua dhe u dënua për këtë krim, nga një gjykatë në Angli, por katër vite më pas në vitin 2016, ai u ekstradua në Shqipëri, për të vuajtur pjesën tjetër të dënimit në vendlindjen e tij. Por duket se fisi Hoxha, nuk i’a fali kurrë fisit Lleshi, humbjen e të afërmit të tyre. Madje menjëherë pas vrasjes së Agim Hoxhës në Britaninë e Madhe, dhe prangosjes së Arben Lleshit si autor i këtij ekzekutimi, ata nuk vonuan të marrin hak ndaj rrethit të ngushtë të familjarëve të tij, këtë herë duke e zhvendosur skenën e krimit, nga Anglia në Shqipëri.