Policia e Durrësit ka arrestuar autorin e ngjarjes së rëndë, Ilir Koçiljan në bulevardin “Dyrrah”.

Koçilja, 35 vjeç, goditi me thikë në zemër Halil Kokën, i cili ndërroi jetë rrugës për në spital. 

Mësohet se autori pas ngjarjes ishte fshehur tek Forumi Bizantin.

Sipas policisë, dyshohet se 35-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Njoftimi i policisë:

Durrës

Falë reagimit në kohë, kontrollit dhe ndjekjes së pandërprerë të Policisë, kapet dhe vihet në pranga autori i plagosjes me pasojë vdekjen e 46-vjeçarit.

Sekuestrohet mjeti prerës (thikë) me të cilin dyshohet se u krye vrasja.

Shërbimet e DVP Durrës, pas identifikimit të autorit të ngjarjes së ndodhur mesditën e sotme, në lagjen nr. 4, ku u godit me mjet prerës (thikë), shtetasi H. K., 46 vjeç, i cili si pasojë, humbi jetën gjatë transportimit në spital, vijuan kontrollet intensive në zonë, për lokalizimin dhe kapjen e autorit. Si rezultat i kontrolleve, në lagjen nr. 11, Durrës, u kap nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe u vu në pranga autori i dyshuar, shtetasi I. K., 35 vjeç, i cili dyshohet se vuan nga sëmundje mendore.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit fizik, i kanë gjetur 35-vjeçarit, mjetin prerës (thikë) me të cilin dyshohet se kreu vrasjen.

Në drejtimin e Prokurorisë, vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.