TIRANË, 4 dhjetor 2013 – Menjëherë pasi ka ndodhur vrasja në Shkozet të Durrësit ku u vra me breshëri kallashnikovi një nxënës 17-vjeçar i vitit të parë deputetët e Partisë Demokratike kanë braktisur Komisionin e Ligjeve.
“Një djalosh është vrarë në mes të shkollës. Ne nuk mund të qëndrojmë më në këtë komision. Policia e Shtetit nuk mbron më jetët e njerëzve.Pak minuta më parë është vrarë një fëmijë. Sot jeta e fëmijëve tanë është në rrezik, qeveria e ka të pamundur të mbrojë jetën e fëmijëve, nuk mund të diskutojmë paketa qesharake”,- ka deklaruar ish-ministri i Drejtësisë Eduard Halimi para se të largohej nga Komisioni i Ligjeve.
“Kjo është zgjidhja juaj politike. Ju keni vrarë njerëz në mes të sheshit. Deputetët nuk janë policë, por kjo është çështje e anëtarëve të opozitës”,- i është kundërpërgjigjur kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj. Ndërkohë Komisioni ka vazhduar mbledhjen edhe pas largimit të deputetëve të PD-së.





