Ervin Flaga: Kunati im ishte me mua në momentin e vrasjes, nuk është ai autori
DURRES, 24 prill 2013– Familjarë të autorit të dyshuar për vrasjen e 27 vjeçarit Refik Lila, kanë reaguar të revoltuar pas arrestimit të të afërmit të tyre Ardit Hyska 28 vjeç.
Familjarët pretendojnë se arrestimin i të afërmit të tyre, është i padrejtë, duke deklaruar se Ardit Hyska është i pafajshëm dhe se nuk ka lidhje me vrasjen e 27 vjeçarit Lila.
Në një reagim për mediat bashkëshortja e autorit të dyshuar për vrasje, Arta Hyska, shprehet duke thënë se Arditi ka qenë gjatë gjithë kohës në spitalin e Durrësit duke u kujdesur për të atin, i cili është shtruar prej disa ditësh për kurim.
Sipas saj, Arditi, nuk ka pasur njohje apo konflikt të mëparshëm me viktimën, duke e cilësuar si të padrejtë arrestimin e tij në ambjentet e spitalit nga policia e Durrësit.
Në sinkron me bashkëshorten, ka qenë dhe Ervin Flaga, kunati i autorit të dyshuar për vrasjen, i cili pretendon se në kohën që ka ndodhur vrasja, ka qenë sëbashku me Arditin.
Përkundër asaj që policia deklaron, mbi sekuestrimin e armës më të cilën është kryer ekzekutimi i 27 vjeçarit, Ervini tregon se blutë e policisë së Durrësit gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip benz me targa AA 307 AB, në prani edhe të familjarëve nuk kanë gjetur asgjë, ashtu sikurse edhe gjatë kontrollit në banesën e të afërmit të tyre.
Dëshmia e Ardit Hyskës
Autori i dyshuar për vrasjen e 27 vjeçarit Refik Lila me origjinë nga Dibra dhe me banim në lagjen numër 17 Durrës, mësohet të mos ketë pranuar autorsinë e krimit para grupit hetimor.
Ardit Hyska mësohet të ketë deklaruar se nuk ka asnjë njohje apo konflikt të mëparshëm me viktimën, duke mos marrë përsipër autorisinë e krimit.
Ai ka pretenduar pafajësinë përpara hetuesve të çështjes, ku i pranishëm ka qenë dhe avokati i tij.
/e.a. Agjencia Lajmeve "Dyrrah"/





