Të shokuar kanë mbetur të gjithë të afërmit banorët e komshinjtë e çiftit të të moshuarve Dervishi në rrugën “Asdreni” në zemër të plazhit të Golemit. Mëngjesin e kësaj fillim jave, lajmi se Shazivare Dervishi ishte qëlluar tre herë me mykën e sëpatës në kokë, nga bashkëshorti, e kish bërë edhe më të trishtë opinionin që kishin banorët për të moshuarit. Në banesën e familjes Dervishi flasim me komshinjtë e tyre me të cilët ndanin banesat prej 18 vjetësh. Banesa 2-katëshe ishte funksionale vetëm në katin e parë, ku çifti jepte me qira katër dhoma. Në oborrin e zbukuruar me lule gjendeshin bosh dy karrige. Kati i dytë ishte ndërtuar vetëm si karabina. Shtëpia ka një oborr të mbushur me lule ku dukej dora e në zonje të mirë. Në krah të shtëpisë gjendet një depo e vogël, ku mbahen materialet apo veglat e punës. Aty, në atë depo 3 metra katrorë, ishte vrarë gruaja.
Pas vrasjes asnjë prej pushuesve nuk kish qëndruar më në katër prej dhomave, që jepeshin me qira nga të moshuarit. E gjithë shtëpia ishte boshatisur nga pushuesit dhe ruhej nga një punonjës policie. Në të gjithë lagjen kishte vetëm keqardhje për Shazivaren, e cila deri në mesditë kishte qëndruar në rrugë panë një tende ku tregtohen fruta perime.
Rajmonda Pepa është komshija që i ndan vetëm një mur banesat e tyre. Rajmonda tregon për marrëdhënien e çiftit Dervishi.
Si e mësuat lajmin e vrasjes?
Isha në plazh dhe pamë që po vinin makina police për nga shtëpia jonë. Kur erdhëm mësuam se Veliu kish vrarë me sëpatë Shazivaren. Na ka shokuar ky lajm.
Ju ndani vetëm një mur avllie, si shkonin me njëri-tjetrin?
Shumë mirë për aq sa i njohim ne. Kemi 17 vjet së bashku. I kemi ndërtuar shtëpitë këtu njëkohësisht. Ata vinin dhe rrinin 4 a 5 muaj në vit e pastaj shkonin në Tiranë. Kurse ne jetojmë këtu përgjithmonë. Dilnin çdo pasdite me njëri-tjetrin dhe i shikonim që shkonin mirë. Nuk i kemi dëgjuar të grinden. Shazivarja ishte grua shumë e urtë e shumë e mirë.
Me kë jetonin?
Jetonin të dy së bashku këtu. Kanë tre djem, një në Angli, një në Itali e një në Tiranë, të voglin. Djali i vogël vinte shpesh i shikonte, rrinte një natë dhe ikte sërish në Tiranë. Ata këtu punonin të dy. Gjatë verës jepnin dhomat me qira dhe për çdo gjë për shtëpinë kujdesej Shazivarja. Lante e pastronte të gjithë dhomat për pushuesit. Grua zonjë që nuk i është dëgjuar zëri kurrë.
Dëshmia
Burimet nga grupi hetimor kanë bërë me dije se 73-vjeçari Veli Dervishi ka pranuar krimin e kryer, duke deklaruar se shkak ishte xhelozia e së shoqes dhe tradhtia e saj.
“E kish mbushur kupën, më ka tradhtuar gjithë jetën, prandaj e vrava. Nuk mund ta duroja dot më sepse ishte xheloze, e më ngrinte nervat sa herë që më pyeste. Kështu ndodhi edhe mbrëmë. Unë kisha dalë e po bëja xhiro bregut të detit, shëtita gjithë mbrëmjen, sa u errësua. Kur u ktheva në shtëpi gruaja më ngriti nervat. E bënte vazhdimisht këtë gjë. Më acaronte. Më pyeste: ku ishe? Me kë ishe? Kë takove? Kë pe? Çfarë të tha? Sa më ngrite nervat në kulm i thashë të qepte gojën se e kish mbushur kupën, por ajo nuk po pushonte. I thashë të shkonte pak në depo, se kisha lënë atje diçka. Kur shkoi atje e vrava. Sëpata ishte atje me veglat e punës dhe e qëllova në kokë. Më pas kam shkuar në polici dhe tregova që e vrava”, ka rrëfyer në polici bashkëshorti. “Ajo më tradhtonte dhe për këtë nuk kisha dyshime që kur ishim të rinj e deri tani më ka tradhtuar”.
Hetimet
Hetuesit kanë marrë në pyetje autorin dhe të afërmit për të hedhur dritë mbi vrasjen. I vetmi që gjendej në Shqipëri, djali i vogël i çiftit është paraqitur me vonesë në komisariatin e policisë së Kavajës, për arsye se gjendej në Tiranë e nuk ishte në dijeni të vrasjes. Atë e kanë telefonuar të afërmit duke i thënë se duhej të shkonte në policinë e Kavajës.
Ai ka rrëfyer në polici se prindërit e tij grindeshin vazhdimisht, dhe kjo ishte arsyeja që nuk ishte martuar por jetonte vetëm. “Grindeshin, kishin shfaqje xhelozie edhe pse ishin të moshuar”, ka thënë djali i çiftit. Hetuesit kanë ngritur disa pikëpyetje ndaj krimit. Ata janë të bindur se bashkëshorti ka vepruar me gjakftohtësi. Kjo, pasi nga testi i alkoolit ka rezultuar se nuk ka qenë i dehur. Nga dëshmia e dhënë autori përpiqet të shfajësojë veten për krimin duke nxjerrë si shkak tradhtinë bashkëshortore. Hetuesit bëjnë me dije se duke fajësuar gruan për shkakun e vrasjes, 73-vjeçari përpiqet të “lajë” edhe figurën e tij para familjes dhe opinionit publik.
Vrasja ndan familjarët
Ekspertiza mjeko ligjore e 68-vjeçares ka përfunduar rreth orës 01:00 të mëngjesit të së hënës. Nga ekspertiza ka rezultuar se gruaja është goditur tre herë pranë veshit, duke i shkaktuar thyerje të kafkës dhe dëme të rnda në kokë. Trupi u tërhoq vetëm nga njerëzit e familjes së saj, ndërsa nuk kanë qenë të pranishëm në morg njerëzit e bashkëshortit.
Ngjarja
Ngjarja ndodhi rreth orës 20:00, të datës 28 gusht në Golem të Kavajës. Veli Dervishi, sipas policisë, kishte pirë disa gota raki, ka goditur gruan, Shazivare Dervishi me sëpatë, duke e lënë të vdekur në vend. Çifti Dervishi jetonin në Tiranë, në një apartament në rrugën “Muhamet Gjollesha”.





