ITALI– Vëllezërit e Orjeta Boshtit, 36-vjeçares së ekzekutuar nga ish-bashkëshorti të enjten në qytetin Aquila të Italisë, kërcënojnë me hakmarrje. Ata kanë shkuar menjëherë në vendin ku Burhan Kapllani ekzekutoi me pistoletë nënën e katër fëmijëve dhe të dashurin e saj, 38- vjeçarin Shpëtim Huna.
Para trupit pa jetë të së motrës, familjarët e saj kanë deklaruar hakmarrje për atë që ndodhi. Këtë fakt e bëjnë të ditur mediat italiane (një prej të cilave abruzzo24ore.tv), që kanë pasur në qendër të lajmeve ngjarjen tragjike të ndodhur në një qendër tregtare, në zonën periferike të Aquilas. Aktualisht, autori i krimit, Burhan Kapllani, ndodhet i arrestuar.
Sipas mediave të shtetit fqinj, ai ka qenë personi që lajmëroi policinë për atë që kishte kryer, me një pistoletë “Beretta”, të cilën e kishte vjedhur në një banesë të braktisur pak kohë më parë. Ai e kishte planifikuar me gjakftohtësi krimin, për t’i marrë jetën ish-gruas, me të cilën ishte ndarë 1 vit e gjysmë më parë. Fillimisht Kapllani qëlloi për vdekje ish-bashkëshorten, me një plumb në kokë, në sy të qindrave personave që hynin e dilnin nga qendra tregtare.





