19 maj 2015 – Nëna e Altin Alukut, 39-vjeçarit që vrau ish-vjehrrin dhe plagosi ish-vjehrrën rrëfen zanafillën e krimit dhe momentet përpara tij.
“Gjithë natën para ngjarjes ka ndenjur në kuzhinë duke pirë raki dhe në mëngjes ka marrë armën, që nuk e di se ku e ka gjetur, dhe ka shkuar atje”, thotë Xhevrije Aluku (në foto).
Aluku e qëlloi Lufti Xhaferrin rreth orës 6.00 të mëngjesit me kallashnikov. Plagosi edhe bashkëshorten e tij, teksa po shkonin në qendër të Kasharit për të shitur qumështin.
“Djali im Altini, para afro 7 vitesh ka qenë i fejuar me vajzën e Lutfi Xhaferrit, M., me të cilën qëndroi i fejuar rreth 7 muaj dhe më pas u ndanë. Djali im me vajzën e familjes Xhaferri janë martuar me shkuesi dhe për të bërë këtë fejesë ka ndërhyrë daja i vajzës. Ne jemi njohur me familjen Xhaferri përmes kësaj fejese dhe kjo ka qenë lidhja që ne kemi pasur me këtë familje”, thotë Xhevrija për 'Gazetën Shqiptare'.
Arsyet e ndarjes nuk dihen. Ka qenë djali i saj ai që kishte vendosur për prishjen e fejesës. Por para dy muajsh ai ishte dhunuar, nga të afërm të vajzës, siç thotë nëna e tij.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/