Për vrasjen e Pajtim Shehut mëngjesin e të shtunës në fshatin Shkallë të Konispolit, policia ka arrestuar një person. Bëhet fjalë për një ish-efektiv policie, Ajet Rexhepin, 49 vjeç.
Policia thotë se i dyshuari kishte konflikte si me pronarin e lokalit ku ndodhi krimi, ashtu edhe me viktimën. Sipas uniformave blu, ka dyshime të forta të bazuara në përgjime, në dëshmi kontradiktore si dhe në gjurmët e barutit të gjetura në duart e autorit të dyshuar. Ajet Rexhepi ishte fqinj me viktimën dhe pas vrasjes ka marrë pjesë edhe në ceremoninë mortore të tij.
Në vitin 2009, ish-polici Ajet Rexhepi dyshohet se ka dhunuar bashkëshorten e pronarit të lokalit ku ndodhi vrasja, gjatë një konflikti për heqjen e tendës së lokalit. Në atë kohë, Rexhepi ishte me uniformën e policisë bashkiake dhe ishte duke kryer një aksion për prishjen e ndërtimeve pa leje.