Na erdhi në tavolinën tonë me mendjemadhësi dhe na qëlloi me pëllëmbë. Aty reaguam ne”.

Kjo ka qenë një pjesë e rrëfimit që ka bërë për hetuesit ditën e sotme 19-vjeçari Gani Tozaj i arrestuar në Vlorë për vrasjen e 33-vjeçarit Ergys Gjioveshaj.

Ky rrëfim dhe dëshmi të tjera nga vendgjarja hedhin dritë mbi vrasjen e ndodhur mbrëmjen e datës 20 prill në një lokal në zonën e Ujit të Ftohtë në qytetin e Vlorës.

Gani Tozaj, i arrestuar si i dyshuar për vrasjen, ka treguar çdo detaj mbi ngjarjen duke ndërtuar skemën sipas tij të krimit.

Pas marrjes në pyetje të Tozajt, zbulohet se gjithçka ka nisur pas një sherri të çastit. Viktima Ergys Gjioveshaj ka shkuar në tavolinën e autorëve ku ka qëlluar me pëllëmbë 19-vjecarin dhe shokun e tij Aranit Kondaj (në arrati), 37 vjeç me të cilin Tozaj ka qenë në tavolinë.

Dëshmitarë thanë se sherri ka ardhur pas një debateve verbale mes viktimës dhe autorëve të vrasjes. Sipas tyre, djemtë po shiheshin shtrembër me njëri-tjetrin por nuk përjashtohet dhe pista që shkak mund të ketë qenë një vajzë.

19-vjecari rrëfen se shkaku që gjakrat u nxehën më shumë u bë pëllëmba që mori në fytyrë nga Ergys Gjiveshaj.

Sipas Tozajt, Gjioveshaj ishte ulur me dy miq në lokal dhe po ngacmonte me fjalë atë dhe disa shokë të tij.

“Ergysi ishte ulur dy tavolina më tutje dhe bëmë fjalë. Ai erdhi drejtim nesh dhe më vuri dorën në sup. Aty unë i hoqa dorën nga supi kurse ai ma ktheu me pëllëmbë, mua dhe Aranitit. Aty ne reaguam”, tha Tozaj për hetuesit.

Menjëherë pas kësaj, nga tavolina e Ganiut janë nxjerrë armët dhe është qëlluar në drejtim të 33-vjeçarit Gjioveshaj, por sipas policisë, dyshohet se edhe një prej shokëve të Ergysit mund të ketë nxjerrë armën dhe të ketë qëlluar në drejtim të autorëve të vrasjes.