Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë që ndronditi këtë qytet.

Me anë të një postimi në Facebook, Ademi shkruan, se vrasja e 31 vjeçarit ditën e sotme, si dhe ngjarjet e fundit të ndodhura në Shkodër, kanë krijuar pasiguri dhe frikë për jetën tek qytetarët.

Ajo i ka bërë thirrje Ramës që të marrë përgjegjësi, për të gjitha ngjarjet që po ndodhin.

Postimi i Ademit:

Shkodra po përjeton periudhën e saj më të vështirë ku krimi po bën ligjin!

Në më pak se tre muaj janë 6 të vrarë dhe dy persona të zhdukur në territorin e Bashkisë së Shkodrës.

Ankthi për jetën dhe të nesermen po zbret frikshëm në këtë rajon.

Si nënë, motër, grua, si kryetare e Bashkisë së Shkodrës i drejtohem kryeministrit të Shqipërisë, e Qeverise: Mjaft më! Ju mbani përgjegjësi për këtë që po ndodh!

U drejtohem të gjitha forcave politike, deputetëve e medias, përfaqësive ndërkombëtare në Shqipëri: Ju s’mund të qëndroni indiferent! Askush nuk mund të qëndrojë indiferent! Për fëmijët dhe familjet tona, për të ardhmen tonë e të Shkodrës tonë!

Shkodra nuk është dhe nuk duhet të jetë kurrë kjo e tre muajve të fundit, nuk duhet ta lëmë të hyjë në një rrugë pa kthim.