Familja Shkëmbi dhe Dushaj nuk mundën të lidhnin krushqi, madje tashmë ato kanë mes tyre një krim që i bën armiq. Familjarët e autorit të vrasjes së dy vëllezërve në Shkodër, s’mund të kthejnë pas atë që ka ndodhur, por ata e dënojnë rëndë krimin e kryer nga Aleksandër Esat Dushaj. Dy familjet jetojnë pranë njëra-tjetrës, ndërkohë që të afërmit e Dushajt ruhen nga policia për shkak të një hasmërie të mundshme. Ibrahim Dushaj, djali i xhaxhai të Aleksandrit kërkon nga drejtësia dënimin e merituar, shkruan shqiptarja.com
Ibrahimi ishte pjesë e ceremonisë mortore të dy vëllezërve në fshatin Drisht. Sipas traditës, ai më parë ka mërrë leje në familjen Shkëmbi. Shprehet se kanë respektin maksimal për familjen Shkëmbi. Ajo që ka ndodhur mes familjeve ishte e papritur, ndërsa shpresojnë se autori, kushëriri i tyre, do të kapet nga policia.
"Them zoti ishalla i mëshiron ata që kanë vdekur, zoti e çon hakun në vend për atë që ka ndodhur, e dënojmë si krim shumë bile. Dënimi është në masën 100 % ta themi kështu, shpresojmë në zotin. Zoti ja dhëntë hakun këtij që ka bërë krimin edhe pastaj dhe shteti," shprehet Ibrahim Dushaj, djali i xhaxhait të Aleksandër (Esat) Dushaj.
Ndërsa policia e vijon aksionin për kapjen e autorit, familja Shkëmbi mban akoma hapur dyert e mortit.
Edhe pse kohët e fundit autori i krimit ishte këshilluar nga të afërmit e tij për t'u tërhequr nga kërkesa, mesa duket Esat Dushaj ishte i bindur për të marrë si nuse vajzën e Skender Shkembit.
Refuzimi i cili rezultoi fatal për vellëzërit Abdullah dhe Skender Shkëmbi pasi u ekzekutuan vetem pak metra larg shtëpisë së nënës së tyre nga 31- vjeçari Dushaj.
E ndërkohë policia e Shkodrës vijon aksionin për kapjen e 31-vjecarit, ndërsa kontrollet e policisë janë fokusuar në zonën e Shllakut dhe Mazrekut ku dyshohet se autori mund të jetë strehuar gjatë këtyre 2 ditëve.





