2 tetor 2015 – Nuk ka ende një pistë zyrtare të hetimeve nga policia për vrasjen e dyfishtë të ndodhur mbrëmë në Tiranë, por dyshohet se shënjestra e atentatit mund të ketë qenë Elvis Gaçaj, 40-vjeçari që mbeti i plagosur. Kjo për shkak të kaluarës së tij, pasi rezulton person me precedentë penalë.

Por nuk përjashtohet dhe një pistë tjetër ku policia po vijon hetimet, ajo e larjes së hesapeve pas një konflikti për prishjen e pazareve të drogës. Kevin Rugova, 23-vjeçari që mbeti i vrarë nga prita me kallashnikov, rezulton të jetë përplasur pak ditë më parë me disa të rinj për shkak të mosmarrëveshjeve që dyshohet se kishin lindur për trafikun e drogës.

Për të zbardhur më shumë detaje rreth kësaj ngjarjeje të rëndë, është marrë në pyetje edhe personi i katërt që ndodhej në makinë, shtetasja E.Gj. e cila për fat i shpëtoi breshërisë së plumbave.

Policia tha se ka shoqëruar disa të dyshuar dhe ka ngritur postblloqe të shumta në pikat hyrëse dhe dalëse të kryeqytetit me qëllim kapjen e autorit apo autorëve të vrasjes së dyfishtë, ku mbetën të vdekur Aurora Oskian 30 vjeçe dhe Kevin Rugova 23 vjeç.

Hetimet nga ana e uniformave blu vijojnë.

/portali DurresLajm/