Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Tiranë ku vjehrri, Mexhit Picari, vrau ish-dhënderin Kudrejt Saliaj dhe plagosi avokatin Adriatik Cama.

Bëhet me dije se autori i ngjarjes, Mexhit Picari dhe e bija, Dhurata Saliaj, kanë vëzhguar për rreth 30 minuta para vrasjes të gjitha lëvizjet e Saliajt, dhe kanë bashkëpunuar së bashku. Po ashtu, babë e bijë kanë bërë deklarata kontradiktore para hetuesve, duke mos qenë koherent në deklarime.

Picari para policisë është shprehur se ishte i ulur në kafe dhe se Saliaj e ka sharë dhe ai më pas ka nxjerrë armën e ka mbushur dhe e ka qëlluar për vdekje.

“E kam mbushur, kam vendosur karikatorin dhe më pas kam qëlluar në drejtim të dhëndrit”, ka deklaruar ai.

Kudret Saliaj ka qenë në ambientet e lokalit në shoqërinë e avokatit, që mbeti i plagosur dhe të psikologes. Kësaj të fundit, nga tronditja fillimisht i ka rënë të fikët dhe është përmendur pak momente më vonë.

Seanca për masën e sigurisë pritet të mbahet të hënën në Gjykatën Penale të Tiranës, ndërsa Prokuroria e Tiranës pritet të kërkoj për të dy, babë e bijë, masën e sigurimit personal “arrest me burg”. Burimet bëjnë me dije se akuza për Dhuratën pritet të jetë ajo e bashkëpunimit në vrasje, pasi ka pamje filmike dhe prova që janë administruar nga akuza për vëzhgimin e viktimës nga dy të arrestuarit.