TIRANE, 2 nëntor 2013 – Fëmijët i mbaj të mbyllur brenda katër mureve, pasi kam frikë mos mi vrasin për hakmarrje. Burri im Besimi, akuzohet se vrau Artur Gjizën, për një borxh. Ne do t'ia kthenim lekët, por as bukë nuk kishim…". Ky është rrëfimi rrëqethës i Ylle Ndreut, bashkëshortes së Besim (Xheku) Ndreut, i cili akuzohet se për një borxh prej 100 eurosh, goditi për vdekje me thikë, Artur Gjizën. Familja e zbritur nga rrethi Dibër, në zonën e Paskuqanit e ka patur të vështirë jetesën. Kryefamiljari, që ndodhet tashmë prapa hekurave, me punën si emigrant në Greqi, ka siguruar bukën e gojës, për gruan dhe tre fëmijët e tij. Bashkëshortja e autorit rrëfen për "Gazetën Shqiptare" se çfarë ka ndodhur në 19 korrik, ditën që në afërsi të Paskuqanit humbi jetën Artur Gjiza. 
 

Znj.Ndreu, çfarë ka ndryshuar në jetën tuaj prej ditës kur bashkëshorti përfundoi prapa hekurave për akuzën e vrasjes? 

Jeta jonë është shkatërruar. Burri është në burg për vrasje. Ne jetojmë brenda katër mureve, në vështirësi të mëdha ekonomike. 
 

Përse jetoni të "ngujuar"? 

Po kam frikë nga hakmarrja, nga vrasja që ndodhi. 
 

Po fëmijët tuaj shkojnë në shkollë? 

Fëmijët i mbaj të mbyllur. Kam shumë frikë për jetën e tyre. Kam frikë se mos familja tjetër hakmerret dhe i vret. Asnjëri prej tre fëmijëve nuk e ndjek shkollën. Djali i madh duhet të shkonte në klasën e shtatë, djali i dytë, në klasën e pestë, ndërsa vajza ne klasën e tretë. 
 

Ju i njihnit pjesëtarët e familjes së Artur Gjizës? 

Jo, si njihja. Si kisha parë asnjëherë më parë. Burri njihej me ta. Unë i kam njohur, kur me erdhën në shtëpi dhe më kërkuan lekët e borxhit. Fola me burrin që ishte në Greqi dhe i thashë që kanë ardhur të kërkojnë lekët. Më tha që i kishte marrë borxh për tre muaj dhe do t'ua sillte lekët. Por, nuk i eci. Ishim në vështirësi të mëdha, mezi siguronim bukën e gojës. Kështu lindi konflikti mes familjeve. 
 

Ju keni qenë dëshmitare okulare e ngjarjes. Çfarë ndodhi atë pasdite të 19 korrikut? 

Unë dhe burri dolëm nga shtëpia dhe do shkonim te motra e Besimit. Përpara na doli djali i Artur Gjizës. I kërkoi Besimit t'i jepte lekët e borxhit. Besimi i tha që nuk kishte patur mundësi, se nuk kishte punuar në Greqi. Ai thirri të atin. Besimi debatoi me të dhe u përleshën. Nga frika unë nuk u afrova dot. Besimi e goditi me thikë dhe ai vdiq. 
 

Përse e kishte marrë borxhin bashkëshorti juaj? 

Burri do shkonte për në Greqi. Me vetë ai mori dhe djalin e Artur Gjizës. Lekët ja dhanë për rrugën, se nuk pati mundësi të largohej. Djali i Artur Gjizës u kthye pas një jave nga Greqia. Arsyet si di. Por, më pas erdhi dhe kërkoi lekët e borxhit. Do ta lanim borxhin, por ne ishim në hall, vuanim për bukë. 
 

Keni bërë ndonjë tentativë për t'u pajtuar me familjen Gjiza? 

Vëllai i Besimit është përpjekur që të bisedojë me familjen Gjiza. Ata nuk kanë pranuar pajtim, ndaj frika jonë është e madhe për ndonjë hakmarrje. 
 

Si e përballoni jetesën? 

Me pensionin e prindërve të mi jetoj. E merrni vetë me mend, se si jetojmë. 
 

E takoni bashkëshortin në burg? 

Besimi është në paraburgimin 302 në Tiranë. E kam takuar, por rrallë. 
 

Keni ju si familje ndonjë apel për institucionet shqiptare? 

Dua që fëmijët e mi të kenë mundësinë të ndjekin shkollën si gjithë bashkëmoshatarët e tjerë. Dua të bëjnë jetë normale, të mos rrinë të ngujuar. Të mos kenë frikë për jetën e tyre. 
 

/BalkanWeb/