Partia Demokratike ka reaguar mbi ngjarjen e rëndë në Kumanovë të Maqedonisë, ku një qytetar ka përplasur me paramendim me makinë një familje shqiptare atje, dhe ku si pasojë mbeti i vdekur Almiri 4-vjeçar.

Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, PD-ja e dënon me forcë këtë krim, duke e cilësuar si të shëmtuar dhe çnjerëzor.

“Partia Demokratike gjendet sot pranë familjarëve të Almirit, të afërmve dhe miqve, duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta. Ky krim që ka tronditur Maqedoninë e më gjerë, meriton të ndëshkohet nga drejtësia. Ligji duhet të funksionojë me ashpërsi, për të mos lejuar që ngjarje të tilla të përsëriten. Partia Demokratike pret dhe kërkon drejtësi, drejtësi shembullore që t’i shërbejë Maqedonisë dhe stabilitetit atje”, përmbyllet reagimi i PD-së.