TIRANE, 20 shkurt 2013 – Gjykata e Tiranës ka nisur shqyrtimin e dosjes në ngarkim të 20-vjeçarit Aldo Hoxha, i akuzuar për vrasjen me thikë të shtetases Fatbardha Tafa, në gusht të vitit të kaluar, në tentativë për t’i vjedhur asaj varësen e floririt që kishte në qafë.
Gjatë seancës gjyqësore, prokuroria e akuzoi Hoxhën për vrasje, ndërsa pala mbrojtëse mohoi akuzat me pretendimin se i pandehuri nuk ka qenë në vendin e ngjarjes, në kohën që është kryer vrasja.
Sipas organit të akuzës, Aldo Hoxha kishte shenja në trup, pasi fëmijët që shoqëronin viktimën në momentin e ngjarjes, e goditën me patina, në përpjekje për të mbrojtur nënën e tyre. Prokuroria nënvizon se Hoxha tentoi t’i fshihej policisë, pasi në momentin e arrestimit ai u gjet poshtë krevatit në shtëpinë e dajës së tij.
Nga ana tjetër, avokati Arben Qeleshi deklaroi se Aldo Hoxha nuk kishte lidhje me vrasjen e gruas. Sipas tij, shenjat që i riu ka në trup janë si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj tij nga policia.
Mbi Aldo Hoxhën rëndojnë akuzat e “vjedhjes me pasojë vdekjen” dhe “plagosjes së lehtë me dashje”, në dëm të Lumturie Gjanës, motrës së viktimës.





