TIRANE, 06 mars 2013– Gjykata e Tiranës zhvillon sot seancën gjyqësore ndaj Aldo Hoxhës, i akuzuar për vrasjen me thikë të Fatbardha Tafës gjatë përleshjes për t’i vjedhur asaj nga qafa varësen e floririt.

Sot, gjyqi ndaj tij pritet të vijojë me pyetjen e dëshmitarëve të Prokurorisë ndërsa në seancën e kaluar Hoxha mohoi të ishte ai autor i ngjarjes.

“Nuk kam lidhje me ngjarjen që tha prokurori. Nuk e kam bërë unë”, u shpreh i pandehuri kur gjykata i kërkoi qëndrimin e tij në lidhje me akuzën.

Ndërsa, Përfaqësuesi i Prokurorisë i paraqiti seancën e kaluar trupës gjykuese kërkesën për gjykimin e Hoxhës për akuzën e “vjedhje me pasojë vdekjen”, në bashkëpunim.

Në ngjarjen e shënuar më 7 gusht 2012 pranë Fushës së Aviacionit në Tiranë, gjatë përleshjes me grabitësin mori plagë vdekjeprurëse me thikë Fatbardha Tafa dhe u plagos kunata e saj, Lumturi Gjana.