Zbardhen detaje të reja të vrasjes së ndodhur dje në afërsi të Kamzës, pranë Institutit Bujqësor, ku mbeti i vrarë Arben Kanina, 50 vjeç.
Nisur nga dëshmitë e banorëve të zonës ku ndodhi ngjarja, por edhe dëshmia e vetë autorit Artan Marku, dyshohet se gjithçka ka ndodhur për shkak se viktima kishte kryer veprime të turpshme me një vajzë 10-vjeçare.
Artan Marku dhe Arben Kanina jetonin bashkë e ndanin qiranë e ambientit ku jetonin, dhe vetë autori ka dëshmuar para bluve se para se të fillonte zënkën me 50-vjeçarin, kishin pirë bashkë raki për disa orë. Më pas, në gjendje të dehur, Marku e ka quajtur pedofil viktimën dhe ai është nxehur me këtë fjalë.
Ky moment ka çuar edhe në konfliktin fizik midis dy burrave. Për shkak të gjendjes së dehur autori nuk ka qenë në gjendje t’i shpjegojë hetuesve detaje, pasi nuk mbante mend shumë gjëra.
Burimet thanë se edhe autori, pasi ka kryer krimin ka dalë nga shtëpia, në godinën nr. 8 të Institutit Bujqësor dhe ka lajmëruar pronarin.
Ai i ka treguar qiradhënësit se kishte bërë sherr me Kaninën dhe se pasi ishin rrahur, ai kishte humbur ndjenjat. Por autori ka deklaruar në polici se nuk e dinte nëse 50-vjeçari kishte ndërruar jetë, apo thjesht i kishte rënë të fikët.