Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj R.V., M.V. dhe A.Ç., shtetas të Serbisë dhe Bosnjës, për kryerjen e krimit të luftës kundër popullsisë civile, sipas nenit 142 dhe nenit 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (LP-RSFJ), që ka qenë në fuqi gjatë periudhës kur u krye krimi.
Hetimet kanë treguar se të pandehurit, si pjesëtarë të forcave të policisë të Stacionit Policor të Pejës, në bashkëpunim me forca të tjera serbe, gjatë luftës në Kosovë, kanë kryer veprime të tmerrshme në fshatin Ozdrim dhe rrethinat e Pejës, përfshirë vrasjen, dëbimin, shkatërrimin e pasurisë dhe keqtrajtimin e popullsisë civile shqiptare, të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë.
Sipas komunikatës, 14 civilë shqiptarë u vranë gjatë këtyre veprimeve. Prokuroria ka kërkuar që gjykimi të zhvillohet në mungesë, pasi të pandehurit janë në arrati. Prokuroria Speciale ka theksuar angazhimin e saj për të çuar para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për krimet e luftës në Kosovë.