Vrasje e kryer nga pakujdesia, është akuza e ngritur ndaj komisarit të policisë Arjan Tase i cili ditën e djeshme aksidentoi me skaf një 7-vjeçare duke i shkaktuar vdekjen.
Sipas njoftimit zyrtar, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) arrestoi në flagrancë punonjësin e Policisë së Shtetit, Arjan Tase, me detyrë Shef i Seksionit të Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan, për veprën penale “Vrasje e kryer nga pakujdesia” parashikuar nga neni 85 i Kodit Penal, në rrethanat e mëposhtme:
Në datën 02.08.2022, rreth orës 14:00, shtetasi Arjan Tase, i cili ishte me pushime në Himarë, ka qenë duke drejtuar një mjet lundrues me dy motorë, nga Porto Palermo drejt Potamit, ndërsa në bord kishte edhe familjarë të tij.
Në vendin e quajtur plazhi i Potamit, në kundërshtim me rregullat e qarkullimit ujor, shtetasi Arjan Tase ka futur mjetin lundrues në hapësirën ujore të përcaktuar për pushuesit. Kjo hapësirë ujore ka qenë e rrethuar me bova plastike, sipas përcaktimeve në aktet ligjore që normojnë këtë aktivitet.
Pasi ka zbarkuar në breg personat e tjerë në bord, shtetasi A.T. ka kryer manovrime të pakujdesshme për të kthyer mjetin lundrues sërish në det të hapur. Nga këto manovrime të pakujdesshme, 15 metra larg bregut, drejtuesi i mjetit Arjan Tase, ka goditur me pjesën e prapme të mjetit lundrues, shtetasen e mitur J.A., duke i shkaktuar plagë të rënda që kanë sjellë humbjen e menjëhershme të jetës.
Pas veprimeve hetimore në vendngjarje, administrimin e provave që dokumentojnë fajësinë e shtetasit Arjan Tase, për veprën penale të “Vrasjes së kryer nga pakujdesia”, hetimet janë shtrirë edhe ndaj strukturave policore, të cilat në fushën e veprimtarisë që u ngarkon ligji, kanë përgjegjësinë për kontrollin dhe monitorimin e sigurimit të hapësirave ujore të rrethuar me bova për pushuesit. Gjithashtu grupi hetimor ka sekuestruar mjetit lundrues, i cili rezulton me dokumentacion të rregullt ligjor.
Nga veprimet procedurale të kryera deri në këtë fazë, janë marrë në cilësinë e personave ndaj të cilëve zhvillohen hetime, drejtuesit e strukturave policore:
– Kryekomisar SH.H., me detyrë Drejtor i Drejtorisë dhe Migracionit në DVKM Vlorë;
– Komisar F.M. me detyrë Shef i Sektorit të Kufirit në DVKM Vlorë;
– Nënkomisar V.LL., me detyrë Shef i Komisarjatit të Policisë Himarë;
– Nënkomisar N.B., me detyrë Shef Stacioni i Policisë Kufitare Dhërmi;
– Nënkomisar A.D., me detyrë Shef i Seksionit të Rendit në Komisariatin e Policisë Himarë.
Materialet procedurale i dërgohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe grupi hetimor i AMP vijon hetimet për të dokumentuar me prova ligjore përgjegjësinë penale të punonjësve të Policisë, të sipërpërmendur.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.