Një vrasje ka ndodhur në fshatin Shalës pasditen e Ditës së Verës, por policia e Elbasanit e bën publike vetëm gjatë ditës së sotme duke zbardhur dhe detaje nga ngjarja e rëndë.

Sipas policisë së Elbasanit, Naim dhe Ilir Çekrezi 56 dhe 25 vjeç, dyshohet se janë autorët e vrasjes së shtetasit B.Sh. 56 vjeç, pasditen e 14 marsit. Këta dy persona hynë në banesën e 56-vjeçarit dhe e kanë vrarë me sende të forta dhe më pas kanë inskenuar edhe ngjarjen që të dukej si aksidentale. Më pas, autorët i kanë grabitur viktimës 250.000 lekë (të rinj) dhe 1880 Euro.

Fillimisht ngjarja është konsideruar aksidentale, ndaj sipas policisë nuk është bërë publike në media.

“Këta  dy shtetas, dyshohen të kenë vrarë shtetasin B.Sh. gjatë momenteve të vjedhjes së banesës së tij dhe më pas kanë inskenuar vendin e ngjarjes, duke e bërë të dukej si ngjarje aksidentale. Por pas veprimeve hetimore të mirëfillta, u arrit në konkluzionin se kemi të bëjmë me një ngjarje të rëndë kriminale, pasi viktima ishte goditur me sende të forta, të cilat i kishin shkaktuar vdekjen e menjëhershme”, bëri të ditur policia e Elbasanit.

Gjatë veprimeve hetimore të ndjekura me metoda speciale të hetimit, rezultoi se në njërën dhomë të banesës së viktimës, autorët kishin vjedhur një sasi prej 250.000 lekësh (të rinj) dhe 1880 Euro. Gjatë kontrollit të ushtruar në një ullishte, grupi hetimor ka gjetur rrobat e përdorura në momentin e kryerjes së krimit, 250.000 lekë të rinj, 1880 Euro, dhe një aparat celular.