Shefi i regjimit të burgut të Peqinit, Vilson Shima, ka dëshmuar lidhur me vrasjen e ndodhur në qeli, ku Sokol Mjacaj ka ekzekutuar Arben Lleshin dhe ka lënë të plagosur Indrit Shaqen. 

Shima ka treguar se në momentin e ngjarjes nuk ka qenë në vendin e punës. Ai thotë se është paraqitur në mëngjes në burg dhe pasi ka zhvilluar disa takime me të dënuarit për disa problematika dhe shqetësime që ata kanë shfaqur, ka marrë leje nga eprori, Qani Muça, për t’u larguar pasi kishte një rast familjar. 

Ai ka dëshmuar se ka shkuar në banesën në Tiranë dhe ka qenë duke festuar me familjen lindjen e djalit, ndërsa vrasjen e ka marrë vesh nëpërmjet mediave. 

Sipas dëshmisë së Shimës, në momentin që është larguar nuk ka pasur asnjë problematikë dhe në mungesë të tij është detyra e shefit të Policisë, Qani Muça, që të ndjekë problematikat që mund të këtë gjatë kohës. 

“Në detyrën që unë aktualisht mbaj ka rreth 8(tetë) muaji, pasi më parë unë kam qenë më shërbim specialist trupe pranë IEVP Peqin, gjithsej në detyrën e punonjësit të policisë së burgjeve unë kam rreth 9 (nëntë) vite, dhe 2(dy) vite e 6(gjashtë) muaji kam me gradën nënkomisar. Në lidhje me sa po më pyesni dua të deklaroj se unë sot më datë 15.12.2023 jam paraqitur në detyrë në orën 08:00 dhe kemi bërë mbledhjen me shefin e policisë ku jam njohur me problemet e një dite më parë , ku kryesisht ka qenë problematikat e akomodimeve të të dënuarve në dhomat e banimit, kam hyrë në regjim rreth orës 09.20 ku kam shkuar në godinën B në ambientet e observimit kam komunikuar me të dënuarit lidhur me problemet dhe shqetësimet që kanë pasur, më pas kam shkuar në hyrjen e parë kati i parë godina B kam sqaruar të dënuarit sipas kërkesave, më pas kam kaluar në katin e dytë dhe kam qëndruar tek hyrja, në orën 11:40 unë kam vënë në dijeni eprorin tim shtetasin Qani Muça, ne lidhje me një gëzim familjar që kisha, ku dje jam shtuar me djalë, për këtë gjë i kam kërkuar eprorit leje dhe më pas jam larguar për në banesën tim në Tiranë. 

Në momentin që unë kam marrë lejen të eprorit tim jam larguar për në banesë dhe situate në regjim ka qenë e qetë dhe pa problem, është detyra e tij të ndjekë problematikat që mund të këtë gjatë kohës. Unë jam njohur me ngjarjen nëpërmjet mediave, gjatë kohës që unë kam qenë në banesë me familjarët e mi dhe duke festuar lindjen e djalit tim. Gjatë kësaj kohe unë kam pritur telefonat nga institucioni për tu paraqitur, në orën 17:50 unë jam telefonuar nga specialist i informacionit për tu paraqitur pranë IEVP Peqin në lidhje me ngjarjen e ndodhur, dua të theksoj se ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:50. Më pas jam telefonuar përsëri nga specialist i informacionit dhe më është komunikuar që të paraqitem në Prokurorin e Elbasanit”, mësohet se ka thënë Shima.