Pas ngjarjeve të fundit kriminale në vend, ku autorët e vrasjeve kryen veprat e tyre makabre të veshur me uniforma policie, siç ishte rasti më i fundit mbrëmjen e djeshme në Elbasan, apo rasti i Gazmend Çollakut në Durrës, kanë revoltuar kreun e Grupit Parlamentar të PD-së Edi Paloka. Gjatë seancës së sotme plenare, Paloka tha se kjo që po ndodh në Shqipëri është një turp i madh dhe sipas tij, Tahiri nuk duhet të ishte sot në Parlament.
Ai iu drejtua ministrit Tahiri dhe kryeministrit Rama duke i pyetur se kush është banda që qarkullon cep më cep me uniformë policie.
"Është e turpshme që ky vazhdon të vijë në Parlament njëherë sepse me atë që po ndodh në Shqipëri vetëm këtë muaj, pa i marrë parasysh se çfarë ka ndodhur përpara, ky zotëria nuk duhet të ishte këtu. Nuk e di a kishin kamera ata me uniformë policie dje në Elbasan, ata që vranë 3 dhe plagosën 6 të tjerë. Këtë duhet të na e thotë ky. Kush është kjo banda me uniformë policie që bredh nga cepi në cep dhe duket sikur zbaton porosi. Këtë të tregojë ky ministri dhe jo të na bëjë dëngla këtu për deklaratat tona për Ben Blushin. Imagjino ca kryeministri, nxjerr ministrin e Brendshëm.
Jepi përgjigje kryeprokurorit që tha se janë banda të lidhura me zyrtarët prandaj nuk i kapim dot. Është bërë Durrësi si Kabuli dhe Shqipëria si Siria. Është akuzë për ju, bandat po bëjnë qejf në Shqipëri sepse janë të lidhur me zyrtarë."





